Ndërlidhjet

Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë


Një ndërtesë e goditur nga sulmet ajrore ruse në Çernihiv më 17 prill 2024.
Një ndërtesë e goditur nga sulmet ajrore ruse në Çernihiv më 17 prill 2024.

Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur gjatë sulmeve ajrore ruse në qytetin e Çernihivit, sulme që presidenti Volodymyr Zelensky, tha se nuk mund të zmbrapseshin sepse Ukraina ka mungesë “të madhe” të mbrojtjes ajrore.

Ai tha se mungesa e sistemeve të mbrojtjes ajrore është për shkak të pakësimit të furnizimeve nga aleatët, veçmas nga Shtetet e Bashkuara, ku politikanët kanë bllokuar një paketë të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 62 miliardë dollarësh.

Vyacheslav Chaus, guvernatori i rajonit të Çernihivit, tha se sulmet ajrore nga forcat ruse ndodhën pas lëshimit të sirenave paralajmëruese në orën 08:50 më 17 prill. Të paktën dhjetë persona janë konfirmuar se janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i qytetit të Çernihivit, Oleksandr Lomako, tha se sulmet goditën infrastrukturën civile të qytetit, i cili gjendet rreth 145 kilometra në veri të Kievit.

Çernihivi është goditur disa herë nga sulmet ruse që kur tanket e Moskës hynë në Ukrainë nga territori i Bjellorusisë fqinje në shkurt të vitit 2022.

“Fatkeqësisht, numri i viktimave mund të rritet. Kjo nuk do të ndodhte nëse Ukraina do të pranonte pajisje të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore dhe nëse vendosmëria e botës për të luftuar terrorin rus do të ishte e mjaftueshme”, shkroi Zelensky në Telegram.

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj Ukrainës, teksa trupat e Kievit po përballen me mungesë të municioneve dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Zyrtarët ukrainas i bëjnë thirrje vazhdimisht Uashingtonit dhe aleatëve të tjerë të rrisin furnizimet ushtarake për Ukrainën, duke thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore janë kritike për mbrojtjen edhe të shteteve fqinje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG