Ndërlidhjet

Rusia kryen sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës


Pasojat e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës ukrainase (Radio Evropa e Lirë, Sherbimi Ukrainas).

Më 22 mars, Rusia nisi një valë masive të sulmeve ajrore ndaj infrastrukturës së energjisë së Ukrainës, duke goditur digën më të madhe të shtetit dhe duke dëmtuar rrjetin elektrik në centralin bërthamor të Zaporizhjës. Sulmet kanë shkaktuar ndërprerje pothuajse të plotë të rrymës në pjesë të tjera të shtetit.

Presidenti Volodymyr Zelensky, tha se në sulm u përdorën 150 dronë dhe raketa dhe sërish bëri thirrje për përshpejtimin e dërgesave kritike të municioneve dhe sistemeve të armëve nga aleatët.

Kompania shtetërore ukrainase e hidroenergjisë, Ukrhydroenerho, tha se diga hidroelektrike DniproHES në Dnjepër të Zaporizhjës, u godit nga raketat ruse, por që aktualisht nuk ka rrezik që diga të shpërthejë.

“Aktualisht ka shpërthim të zjarrit në digë. Ekipet emergjente po punojnë në vendngjarje, duke eliminuar pasojat e disa sulmeve ajrore”, tha Ukrhydroenerho përmes një deklarate, duke shtuar se situata në digë “është nën kontroll”.

“Gjatë natës, Rusia lëshoi mbi 60 dronë Shahed dhe pothuajse 90 raketa të llojeve të ndryshme në Ukrainë”, shkroi Zelensky në X, që më herët njihej si Twitter.

“Bota sheh caqet e terroristëve rusë më qartë se kurrë: termocentralet dhe linjat e furnizimit me energji, diga hidroelektrike, ndërtesa banimi dhe trolejbus”, shkroi Zelensky.

Infrastruktura e energjisë po ashtu ishte cak i sulmeve edhe në rajonet tjera, në atë që ministri i Energjisë, Herman Halushchenko, e quajti “sulmin më të madh ndaj industrisë ukrainase të energjisë së fundi”.

Sulme po ashtu janë raportuar në rajonet e Harkivit, Dnipropetrovskit, Vinitsjas, Hmelnitskit, Ivano-Frankivskit, Potlavës, Odesës dhe Lvivit.

Rajoni i Zaporizhjës u godit nga 12 sulme ruse me raketa, duke shkaktuar viktima dhe pjesërisht duke lënë pa rrymë centralin bërthamor të Zaporizhjës, thanë zyrtarët lokalë mëngjesin e 22 marsit.

Në Harkiv, granatimet intensive ruse shkaktuan ndërprerje të rrymës dhe furnizimit me ujë.

“Pushtuesit kanë kryer mbi 15 sulme ndaj ndërtesave energjetike. Qyteti faktikisht është krejtësisht në terr”, tha Oleh Synyehubov, kreu i administratës rajonale ushtarake.

Në rajonin e Hmelnitskit, administrata lokale raportoi për një person të vrarë dhe disa të plagosur nga sulmet ruse, pa dhënë më shumë detaje.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 92 nga 151 raketat dhe dronët që Rusia lëshoi ndaj Ukrainës gjatë natës.

“Raketat ruse nuk vonohen, për dallim nga paketat e ndihmës për Ukrainën. Dronët ‘Shahed’ nuk janë të pavendosur si disa politikanë. Është thelbësore të kuptohet kostoja e vonesave dhe e shtyrjes së vendimeve”, shkroi Zelensky, duke kërkuar nga Perëndimi që të bëjë më shumë për shtetin e tij.

Mesazhi i Zelenskyt vjen në kohën kur udhëheqësit e Bashkimit Evropian përmbyllin sot një samit në Bruksel, ku ata diskutuan për mënyrat se si të përshpejtohen dërgesat me municione dhe armë për forcat ukrainase të cilat po përballen me sulmet intensive ruse.

Një paketën kritike e ndihmës ushtarake në vlerë prej 60 miliardë dollarësh është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, për shkak të kundërshtimit nga republikanët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG