Të paktën 12 persona janë vrarë nga sulmet me dronë dhe raketa lundruese të Rusisë ndaj Ukrainës. Moska ka sulmuar Ukrainën gjatë mbrëmjes të së enjtes dhe mëngjesit të së premtes.
Në qytetin perëndimor të Lvivit, një ndërtesë e infrastrukturës kritike është goditur nga një sulm me dron, tha kreu i qytetit, Andriy Sadovyi, përmes një postimi në Telegram.
Në Odesa në jug të Ukrainës, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në një ndërtesë të lartë.
Në Harkiv, në verilindje, po ashtu ka pasur disa shpërthime pas sulmeve me raketa.
Sadovyi tha se Lvivi u sulmua me mbi 10 dronë kamikazë Shahed, të prodhimit iranian.
Në rajonin Sumi, në verilindje të Ukrainës, si pasojë e një sulmi me raketa në qytetin Konotop u plagosën tre persona dhe u dëmtua një ndërtesë banimi dhe një punishte.
Gjatë natës, Harkivi u sulmua me mbi 10 raketa. Guvernatori Oleh Syniehubov, tha se duhet të verifikohen dëmet e shkaktuara nga sulmet.
Një valë e dytë e sulmeve ajrore pasoi mëngjesin e së premtes. Sirenat për sulme ajrore u lëshuan në mbarë Ukrainën dhe banorët u udhëzuan që të shkojnë në strehimore.
Kievi dhe qyteti industrial, Dnipro, po ashtu u shënjestruan nga sulmet ruse. Shpërthime janë raportuar në dy qytetet, ku jetojnë mbi 1 milion banorë.
Me ndihmën e Perëndimit, Ukraina po mbron veten nga pushtimi i paprovokuar i nisur nga Rusia mbi 22 muaj më parë.