Ndërlidhjet

Kievi zmbraps një sulm ‘masiv’ me dronë


Shkatërrimi i një droni Shahed në Kiev nga forcat ukrainase. Fotografi nga arkivi.
Shkatërrimi i një droni Shahed në Kiev nga forcat ukrainase. Fotografi nga arkivi.

Mbrojtja ajrore në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ka zmbrapsur një sulm “masiv” rus me dronë gjatë natës.

Guvernatori rajonal i Kievit tha se ushtria ukrainase ka shkatërruar 32 nga 35 dronë të prodhimit iranian.

“Edhe një sulm masiv ndaj kryeqytetit. Këtë herë armiku përdori dronë, që sipas informacioneve preliminare, ishin të llojit Shahed”, shkroi në Telegram guvernatori Sehiy Popko.

Ai shtoi se ky ishte sulmi i parë ndaj Kievit në 18 ditët e fundit.

Ende nuk ka informacione për viktima apo dëme.

Gjatë natës, cak i sulmeve ajrore ruse ishin edhe rajonet e Zaporizhjës dhe Lvivit.

Zyrtarët thanë se në Lviv është goditur infrastrukturë kritike.

Në Zaporizhja, cak i sulmeve ishin linjat e komunikimit, firmat, por edhe zonat e banuara, tha shefi i administratës rajonale ushtarake në Zaporizhja, Yuri Malashko.

Në këto dy rajone nuk raportohet për viktima.

Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase raportoi se gjatë natës së 20 qershorit, Rusia ka nisur sulme masive ajrore ndaj Ukrainës.

“Po ashtu, shtatë raketa S-300 janë përdorur nga pushtuesit në Zaporizhja dhe zonën përreth”, u tha në raportin ditor të ushtrisë ukrainase.

Që nga fillimi i majit, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në Ukrainë, veçmas ndaj Kievit, duke përdorur raketa dhe dronë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG