Ndërlidhjet

Palestinezët raportojnë për viktima nga sulmet izraelite në Gazë


Palestinezët duke kërkuar për persona të bllokuar pas shkatërrimit të një shtëpie nga një sulm izraelit në Han Junis. 19 tetor 2023.
Palestinezët duke kërkuar për persona të bllokuar pas shkatërrimit të një shtëpie nga një sulm izraelit në Han Junis. 19 tetor 2023.

Një mjek në një spital në jug të Rripit të Gazës tha se të paktën 12 persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror të kryer nga Izraeli, që goditi një zonë të banuar në qytetin Han Junis.

Mjeku Mohammed Qandeel tha se në spitalin Nasser në Han Junis janë pranuar pacientë mëngjesin e 19 tetorit. Ky qytet ndodhet brenda zonës që Izraeli e ka cilësuar si të sigurt dhe ka inkurajuar banorët nga veriu i Gazës që të evakuohen.

Ekipet e shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të shpëtuar banorët që besohet se janë bllokuar nën rrënoja të ndërtesës së shkatërruar.

Ndërkaq, Salam Marouf, kreu i zyrës për media i autoriteteve palestineze në Gazë tha se Izraeli vazhdimisht po bombardon Gazën dhe furrat e bukës, përderisa palestinezët presin në radhë për bukë, duke shkaktuar numër të lartë të viktimave.

*Fotogaleri: Shkatërrimet në Gazë

Sipas tij, Izraeli duke shënjestruar furrat e bukës po tenton të përkeqësojë situatën humanitare dhe “t’ua bëjë më të vështirë njerëzve që të sigurojnë bukë”. Mbi pesë furra të bukës janë shënjestruar në zona të ndryshme në veri dhe jug të Gazës, tha Maarouf.

Grupet e ndihmës, përfshirë Programin Botëror të Ushqimit, kanë paralajmëruar se Gazës po i pakësohen furnizimet me ushqim dhe dyqanet kanë furnizime edhe për disa ditë.

Izraeli ka bombarduar pa rreshtuar Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë – që kur militantët palestinezë të Hamasit kryen sulme ndaj Izraelit më 7 tetor.

Izraeli po ashtu ka urdhëruar banorët që të evakuohen nga veriu në jug të Gazës, teksa po përgatitet që të kryejë sulme ndaj Hamasit në pjesën veriore. Autoritetet izraelite janë zotuar se do të shkatërrojnë grupin e Hamasit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG