Ndërlidhjet

Të paktën 22 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë


Bombardimet në Han Junis, që gjendet në veri të Rafahut në Rripin e Gazës. 5 shkurt 2024.
Bombardimet në Han Junis, që gjendet në veri të Rafahut në Rripin e Gazës. 5 shkurt 2024.

Të paktën 22 persona janë vrarë, përfshirë gra dhe fëmijë, në katër sulme ajrore izraelite më 9 shkurt në pjesën qendrore të Rripit të Gazës dhe në qytezën jugore, Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, thanë dëshmitarët dhe zyrtarët spitalorë.

Sulmet goditën një ndërtesë banimi në Rafah, duke vrarë tetë persona, dhe një çerdhe të shndërruar në strehimore për personat e zhvendosur në qytetin Zuvaida – në Gazën qendrore – ku u vranë pesë persona të tjerë. Ndërkaq, në një sulm në Deir al-Bala u vranë nëntë njerëz.

Mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës kanë ikur për në Rafah, duke respektuar urdhrat për evakuim të lëshuar nga Izraeli, para zgjerimit të ofensivës së tij tokësore. Urdhrat për evakuim tani mbulojnë dy të tretën e territorit të enklavës së vogël, e cila është rrethuar.

Edhe në zonat ku strehohen banorët, sikurse është Rafah, Izraeli vazhdimisht ka kryer sulme ajrore, pasi ka argumentuar se po sulmon caqet e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Izraeli mban përgjegjës grupin radikal palestinez për numrin e lartë të viktimave civile, duke thënë se Hamasi operon brenda zonave civile. Të enjten, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Izraeli po kryen një luftë “të tepruar”.

Trupat tokësore izraelite ende janë të përqendruara në qytetin e Han Junisit, që gjendet në veri të Rafahut, por kryeministri Benjamin Netanyahu, vazhdimisht ka paralajmëruar gjatë kësaj jave se Rafahu do të jetë synimi i radhës, duke krijuar panik në mesin e qindra mijëra personave të zhvendosur.

Paralajmërimet e Netanyahut kanë alarmuar po ashtu Egjiptin, i cili ka thënë se çdo operacion tokësore në zonën e Rafahut, apo ndonjë zhvendosje e madhe përtej kufirit, do të minonte traktatin 40-vjeçar të paqes që ka me Izraelin.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit u nxit pasi grupi radikal palestinez kreu sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Në Gazë, si pasojë e ofensivës izraelite, janë vrarë mbi 27.000 palestinezë, janë zhvendosur shumë të tjerë dhe çereku i popullsisë është në prag të urisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG