Sulmet izraelite në Rafah, në jug të Gazës të kryera gjatë natës vranë 18 persona, përfshirë 14 fëmijë, thanë zyrtarët shëndetësorë më 21 prill.
Izraeli kryen sulme ajrore në Rafah pothuajse në baza ditore. Në këtë vend gjenden mbi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës, që është strehuar aty nga luftimet në pjesë të tjera të territorit. Izraeli po ashtu është zotuar se do të dërgojë trupa tokësore në këtë qytet, që gjendet në kufi me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, përfshirë nga Shtetet e Bashkuara, që të përmbahet nga një veprim i tillë.
Në sulmin e parë të kryer gjatë natës, një burrë u vra së bashku me gruan dhe fëmijën e tyre tre vjeç. Gruaja ishte shtatzënë dhe mjekët e spitalit Kuvajti, që gjendet pranë, thanë se arritën të shpëtonin foshnjën.
Sulmi i dytë vrau 13 fëmijë dhe dy gra, të gjithë nga familja e njëjtë, thanë autoritetet shëndetësore.
Një ditë më herët, nga një sulm ajror në Rafah ishin vrarë nëntë persona, përfshirë gjashtë fëmijë.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 34.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Konflikti, që tashmë është në muajin e shtatë, nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.
Lufta në Gazë ka nxitur trazira në rajon, përderisa Irani javën e kaluar kreu sulmin e parë me dronë dhe raketa në tokën izraelite. Izraeli, ndërkaq, raportohet se u kundërpërgjigj gjatë kësaj jave me një sulm me dronë dhe raketa brenda Iranit.