Ndërlidhjet

Të paktën pesë të vrarë pas sulmit rus në Lviv


Dëmet e shkaktuara në Lviv pas sulmit me raketa. 6 korrik 2023.
Dëmet e shkaktuara në Lviv pas sulmit me raketa. 6 korrik 2023.

Të paktën pes persona janë vrarë pas një sulmi me raketë të kryer nga Rusia në qytetin ukrainas të Lvivit.

Sulmi në Lviv është përshkruar nga zyrtarët ukrainas si “sulmi më i rëndë” në këtë qytet që nga nisja e pushtimit.

Ministria e Brendshme tha se 34 persona, përfshirë edhe një fëmijë, janë plagosur në sulmin që ndodhi gjatë natës.

Nga sulmi me raketa është shkatërruar kulmi dhe dy katet e sipërme të një ndërtese të banuar.

Rreth 60 banesa dhe 50 makina janë dëmtuar pas sulmeve me raketa, thanë autoritetet e qytetit. Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin shtatë persona nga rrënojat, ndërkaq 64 të tjerë janë evakuuar.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqej shkatërrimi i shkaktuar nga sulmi me raketa.

Ai shprehu ngushëllime për viktimat, por shtoi se Ukraina do të përgjigjet.

“Sigurisht që do të ketë një përgjigje për armikun. Do të jetë një përgjigje e fortë”, tha ai.

Forcat ajrore të Ukrainës kanë penguar shtatë nga dhjetë raketat e llojit Kalibr që forcat ruse lëshuan nga Deti i Zi drejt Lvivit në orën 01:00 të 6 korrikut.

Lviv gjendet në perëndim të Ukrainës, pranë kufirit me Poloninë. Ky qytet është mbi 500 kilometra larg nga vijat e frontit në lindje dhe jug të Ukrainës, ku kundërofensiva e Kievit kundër forcave ruse është në fazat e para.

Në një intervistë të publikuar më 5 korrik, Zelensky tha se kundërofensiva nisi më vonë se sa ai do të dëshironte sepse Perëndimi dështoi të furnizonte me kohë Kievin me armët që i duheshin, duke u dhënë më shumë kohë forcave ruse që të ngrenë pozicionet e tyre mbrojtëse.

Gjatë intervistës për CNN, Zelensky tha se kjo vonesë shtoi vështirësitë në fushëbetejë kur kundërofensiva ukrainase nisi muajin e kaluar.

“Jam mirënjohës ndaj SHBA-së, që është lidere në mbështetjen për ne”, tha lideri ukrainas.

“Dëshiroja që kundërofensiva të ndodhte shumë më herët, por të gjithë e kuptuan se nëse kundërofensiva nis më vonë, një pjesë e madhe e territorit tonë do të minohej. Ne i dhamë armikut kohë për të vendosur më shumë mina dhe për të përgatitur vijat e tyre mbrojtëse”, shtoi ai.

Që kur nisi kundërofensiva në fillim të qershorit, Ukraina ka thënë se ka arritur të rimarrë kontrollin e disa fshatrave në juglindje. Por, Kievi ka sugjeruar se ende nuk ka dislokuar pjesën më të madhe të forcave, që janë trajnuar nga Perëndimi, dhe pajisjet e rënda.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG