Ndërlidhjet

Kievi sulmohet me breshëri raketash nga Rusia


Shpërthimi i një rakete gjatë një sulmi rus mbi kryeqytetin e Kievit, Ukrainë, më 16 maj 2023.
Shpërthimi i një rakete gjatë një sulmi rus mbi kryeqytetin e Kievit, Ukrainë, më 16 maj 2023.

Zyrtarët e Kievit raportuan për një sulm ajror jashtëzakonisht të ashpër nga Rusia në orët e para të së martës, duke përfshirë përdorimin e dronëve dhe raketave. Ky shënon sulmin e tetë ajror në kryeqytetin ukrainas këtë muaj.

Sipas një deklarate të postuar në aplikacionin e mesazheve Telegram, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, Serhiy Popko, e përshkroi sulmin e fundit ajror nga Rusia si të paprecedent në intensitetin e tij, me numrin më të madh të raketave sulmuese të lëshuara për një kohë të shkurtër.

"Sipas informacioneve paraprake, shumica dërrmuese e objektivave të armikut në hapësirën ajrore të Kievit u zbuluan dhe u shkatërruan", tha Popko.

Numri i objektivave të goditura dhe të shkatërruara gjatë sulmit ajror në Kiev, aktualisht nuk dihet.

Rusia kishte pezulluar sulmet e saj me raketa me rreze të gjatë veprimi për disa javë, por rifilloi taktikën në fund të prillit, duke nisur sulme të shumta në ditët e fundit, me Kievin që ishte një objektiv i shpeshtë.

Pavarësisht sulmeve, Ukraina i ka zmbrapsur me sukses shumicën e tyre.

Sipas zyrtarëve, mbeturinat e raketave ranë në disa rrethe të Kievit, duke përfshirë Obolonskin, Shevchenkivskin, Solomyanskin dhe Darnitskin, të martën.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, raportoi se mbeturinat që ranë dogjën shumë makina dhe shkaktuan dëmtime në një ndërtesë në lagjen Solomyanskyi në pjesën perëndimore të kryeqytetit.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.

Sipas Klitschkos, një sulm me dron u zmbraps nga sistemet e mbrojtjes ajrore në jug të Borispilit.

Borispili ndodhet në juglindje të Kievit dhe është shtëpia e aeroportit kryesor civil të kryeqytetit, i cili aktualisht është i mbyllur.

Administrata ushtarake raportoi se dëmet në rrethet e tjera nuk ishin të mëdha dhe nuk kishte informacion të menjëhershëm për viktima të mundshme.

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan pothuajse në të gjithë vendin për më shumë se tri orë, të martën, në Kiev dhe zonën përreth.

Më 16 maj, Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës raportoi se Rusia kishte lëshuar të paktën 18 raketa, në objektiva të ndryshme në Ukrainë, por të gjitha ato u kapën nga mbrojtja ajrore e Ukrainës.

Sulmi u nis nga tri drejtime të ndryshme, duke filluar nga ora 3:30 e mëngjesit sipas orës lokale.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase raportoi se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 48 sulme ajrore përgjatë vijës së frontit në Donjeck.

Ushtria deklaroi se qytetet Bahmut, Avdjivka dhe Marinka mbeten vatrat e luftimeve më intensive në Donjeck, ku u zhvilluan 49 operacione ushtarake në 48 orët e fundit.

Më 15 maj, katër civilë u vranë në një sulm me raketa ruse në një spital Avdjivka, tha guvernatori rajonal Pavlo Kyrylenko.

Presidenti Ukrainës, Volodymyr Zelensky, më 15 maj tha në një video të regjistruar në tren gjatë udhëtimit për në Kiev nga turneu i tij evropian, se po kthehej me paketa të reja mbrojtëse, duke përfshirë "më shumë municion, armë më të forta, më shumë mbrojtje për popullin dhe më shumë mbështetje politike".

Gjatë një takimi në Londër më 15 maj, Zelensky dhe kryeministri britanik, Rishi Sunak, folën për krijimin e një koalicioni për të trajnuar pilotët ukrainas për avionë luftarakë modernë, të cilin Zelensky e konsideroi vendimtar pasi Ukrainës aktualisht i mungon kontrolli mbi hapësirën e saj ajrore.

Ideja për një koalicion të tillë është propozuar nga Ukraina edhe më parë, ku është kërkuar që edhe Shtetet e Bashkuara të marrin pjesë.

Pas takimeve me liderët evropianë, Zelensky u shpreh optimist në lidhje me mundësinë e krijimit të koalicionit dhe sinjalizoi se do të ketë zhvillime të rëndësishme. Në paraqitjen e tij, Zelensky tha se Britania dhe Polonia kishin rënë dakord t'i bashkoheshin koalicionit.

"Britania - po. Polonia - po. Dhe jam i sigurt se Franca dhe partnerët e tjerë do të bashkohen", tha ai.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca ishte e hapur për trajnimin e pilotëve të avionëve luftarakë ukrainas në Francë, dhe se këto programe trajnimi mund të fillojnë menjëherë.

Shumica e vendeve perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, u kanë rezistuar kërkesave të Ukrainës për avionë luftarakë për shkak të shqetësimeve për përshkallëzim të luftës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG