Ndërlidhjet

Porti i Odesës goditet nga një sulm masiv rus


Shkatërrimet në një hotel afër portit të Odesës. 25 shtator 2023.
Shkatërrimet në një hotel afër portit të Odesës. 25 shtator 2023.

Rusia ka kryer një sulm masiv ajror në jug të Ukrainës gjatë natës, duke goditur zonën e portit në qytetin e Odesës. Si pasojë e sulmit janë shkatërruar depo të mëdha të drithërave.

Forcat e mbrojtjes jugore të Ukrainës thanë se Rusia ka kryer sulme në Odesa me 19 dronë dhe dy raketa supersonike të llojit Onyx, si dhe ka lëshuar 12 raketa lundruese Kalibr.

Forcat ukrainase thanë se porti në Odesa ka pësuar “dëme të mëdha”, ndërkaq guvernatori rajonal, Oleh Kiper, tha se afër 1.000 tonë grurë është shkatërruar.

Ushtria tha se përveç depove ku ruhej drithi është sulmuar edhe një shtëpi private.

“Stacioni detar në Odesa ka pësuar dëme të konsiderueshme. Nga zjarri është përfshirë edhe një hotel, që nuk ka qenë funksional për vite të tëra”, shtoi ushtria.

Kiper tha se një grua është plagosur nga sulmet në Odesa.

Rusia ka shpeshtuar sulmet ndaj infrastrukturës së Ukrainës që përdoret për eksportin e drithërave në Odesa, por edhe në rajonin tjetër jugor të Mikolajivit.

Sulmet janë shpeshtuar pasi Moska u tërhoq nga një marrëveshje, që i mundësonte Ukrainës eksportin e sigurt të drithërave nga portet në Detin e Zi.

Po ashtu është raportuar për sulme edhe në pjesë të tjera të Ukrainës. Guvernatori rajonal i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha se Rusia ka sulmuar qytetin Berjsllav, në pjesën e djathtë të lumit Dnjepër, duke lënë të vrarë të paktën një person.

Autoritetet ukrainase raportuan edhe për sulme në rajonin e Dnipropetrovskit.

Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga Moska, por Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dronët ukrainas kanë shënjestruar veriperëndimin e Detit të Zi dhe Krimenë, që Moska e aneksoi ilegalisht më 2014.

Moska tha se mbrojtja e saj ajrore ka “shkatërruar” katër dronë. Ende nuk ka informacione nëse ka dëme apo viktima si pasojë e sulmeve të raportuara.

Po ashtu, Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se katër dronë janë penguar gjatë natës mbi Kursk dhe Brjansk, dy rajone që gjenden në kufi me Ukrainën.

Kievi ende nuk ka komentuar për këto pretendime të Rusisë.

Ukraina rrallë merr përgjegjësinë për sulme brenda Rusisë apo në territore të kontrolluara nga Rusia në Ukrainë. Por, muajve të fundit ka thënë se po shkatërron infrastrukturën ushtarake ruse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG