Një zyrtar i lartë suedez ka thënë të hënën se suedezët jashtë vendit dhe bizneset e lidhura me Suedinë “duhet ta rrisin vigjilencën dhe kujdesin”, pas djegieve të fundit të Kuranit në vend dhe protestave në botën myslimane.
Henrik Landerholm, këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Suedisë, tha se ka shenja të “kërcënimeve të larta” ndaj vendit dhe ndaj interesave suedeze jashtë vendit, duke shtuar se gjendja e sigurisë është përkeqësuar.
Në një komunikatë për media, Landerholm tha se “përfaqësuesit e grupeve terroriste kanë bërë thirrje për sulme kundër Suedisë. Shtetet dhe aktorët e tjerë kanë ndihmuar në zmadhimin e mesazheve të tilla”. Ai theksoi se Suedia tani është cak primar i sulmeve.
Landerholm shtoi se ka “shenja” se grupet po planifikojnë, po ashtu, sulme të tjera kundër interesave suedeze jashtë vendit, duke e nënvizuar sulmin në Ambasadën e Suedisë në Bagdad muajin e kaluar dhe tentim sulmin në misionin diplomatik në Bejrut javën e kaluar.
Qeveria suedeze dhe autoritetet relevante “janë duke i përcjell zhvillimet, dhe kanë marrë masa të ndryshme dhe po punojnë nga afër me partnerët ndërkombëtarë për t’i mbrojtur suedezët dhe interesat suedeze jashtë vendit, si dhe për t’i neutralizuar mesazhet e urrejtjes që po shpërndahen për Suedinë”.
Këtë muaj, Suedia i rriti kontrollet në pikat kufitare.
Një valë e përdhosjeve të Kuranit nga një numër i aktivistëve anti-islam në Suedi së fundmi – dhe më pas edhe në Danimarkën fqinje – ka nxitur protesta të ashpra në vendet myslimane.
Suedia nuk ka ligj të veçantë që ndalon djegien apo përdhosjen e Kuranit, apo librave të tjerë fetarë. Sikur në shumë vende të Perëndimit, Suedia nuk ka ligje të blasfemisë. Ato u hoqën në vitet ’70.
E drejta për të mbajtur demonstratë publike mbrohet nga Kushtetuta e Suedisë. Policia, në përgjithësi, jep leje bazuar në atë se a beson se do të jetë tubim publik që mbahet pa prishje të madhe të rendit publik apo pa rrezik për sigurinë publike.
Zyrtarët suedezë i kanë dënuar vazhdimisht përdhosjet e Kuranit dhe i kanë mohuar pretendimet se qeveria në Suedi u jep leje njerëzve për ta djegur librin e shenjtë të islamit apo librat e tjerë fetarë.
Muajin e kaluar, shërbimi i brendshëm i sigurisë i vendit skandinav tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është përkeqësuar dhe se rreziku për sulm terrorist në Suedi mbetet në nivel të lartë.