Ndërlidhjet

Zgjatet armëpushimi, por luftimet në Sudan vazhdojnë


Luftimet në Kartum të Sudanit.
Luftimet në Kartum të Sudanit.

Ushtria dhe një grup paramilitar në Sudan janë pajtuar që të zgjasin marrëveshjen e armëpushimit, disa orë para se armëpushimi paraprak prej 72-orësh të skadonte.

Zgjatja e armëpushimit – edhe për 72 orë – vjen pas përpjekjeve intensive diplomatike nga shtetet fqinje, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara.

Por, pavarësisht armëpushimit, në kryeqytetin sudanez, Kartum, po vazhdojnë luftimet e ashpra.

Armëpushimi paraprak mundësoi largimin e mijëra personave, teksa disa shtete vazhduan përpjekjet e tyre për evakuimin e qytetarëve të tyre.

Pothuajse dy javë luftime të ashpra midis ushtrisë dhe një grupi paramilitar kanë lënë të vdekur qindra persona.

Në Sudan po luftojnë ushtria dhe grupi paramilitar i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.

Sudani Jugor ka ofruar që të ndërmjetësojë bisedimet e paqes dhe ushtria sudaneze është pajtuar që të dërgojë përfaqësues në këto bisedime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni “në mënyrë shumë aktive” ka punuar në zgjatjen e armëpushimit, duke shtuar se pavarësisht se armëpushimi i parë nuk u respektua plotësisht, ai mundësoi uljen e dhunës.

Por, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, më vonë tha se situata mund të përkeqësohet në çdo moment.

Ndërkaq, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dhe dëshmitarët thanë se ushtria ka sulmuar pozicionet e grupit paramilitar në Kartum.

Të paktën 512 persona janë vrarë në luftime që nisën më 15 prill dhe pothuajse 4.200 të tjerë janë plagosur, edhe pse numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.

Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.

Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.

Mosmarrëveshjet kryesore në planin për trazicion kanë të bëjnë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG