Ndërlidhjet

Stuhia Ciaran godet Evropën Perëndimore, shkakton viktima dhe lë miliona njerëz pa rrymë


Një pemë e rrëzuar mbi një veturë të parkuar në veri të Francës gjatë stuhisë Ciaran, 2 nëntor 2023.
Një pemë e rrëzuar mbi një veturë të parkuar në veri të Francës gjatë stuhisë Ciaran, 2 nëntor 2023.

Së paku shtatë njerëz kanë vdekur dhe disa ta tjerë janë lënduar si pasojë e erërave të forta rekorde në Francë dhe përgjatë pjesës më të madhe të Evropës Perëndimore, pasi stuhia Ciaran goditi gjatë natës së mërkurës dhe mëngjesit të së enjtes.

Erëra me shpejtësi më të lartë se 190kmh u regjistruan në bregdetin atlantik të Francës, duke nxjerrë pemët me gjithë rrënjë dhe duke dëmtuar shtëpi.

Dy persona vdiqën dhe 16 të tjerë u lënduan në perëndim dhe veri të Francës, njoftuan autoritetet. Shtatë prej të lënduarve ishin punonjës emergjentë.

Rreth 1.2 milionë shtëpi mbetën pa rrymë në Francë të enjten, sipas kompanisë për shpërndarjen e energjisë elektrike, Enedis. Kjo kompani tha se do t’i dërgojë 3.000 punëtorë në terren për ta kthyer furnizimin me rrymë sapo kushtet ta mundësojnë një gjë të tillë.

Zjarrfikësit duke e larguar një pemë të rrëzuar në trotuar gjatë stuhisë Ciaran, e cila vrau një grua në Madrid, 2 nëntor 2023.
Zjarrfikësit duke e larguar një pemë të rrëzuar në trotuar gjatë stuhisë Ciaran, e cila vrau një grua në Madrid, 2 nëntor 2023.

Në Spanjë, ku stuhia e kaploi pothuajse tërë vendin me shira të mëdha dhe erëra të forta, një grua vdiq pasi u godit nga një pemë, ndërsa tre persona të tjerë u lënduan. Disa fluturime dhe udhëtime me tren u anuluan, ndërsa parqet në kryeqytetin Madrid dhe qytetet e tjera u mbyllën, njoftuan autoritetet.

Dy persona vdiqën si pasojë e rrëzimit të degëve të pemëve në Belgjikë, përfshirë një fëmijë 5-vjeçar, i cili ishte dërguar në spital ku kishte vdekur disa orë më vonë. Në Gjermani, një grua e moshuar vdiq si pasojë e rrëzimit të një dege, ndërsa vajza e saj u lëndua rëndë.

Autoritetet lokale dhe qendrore i kanë paralajmëruar banorët të mos rrinë afër hapësirave të gjelbra për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve.

Në Britani të Madhe mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike, për shkak të erërave të forta, të cilat dëmtuan kulmet e ndërtesave dhe nxorën pemët me gjithë rrënjë. Disa njerëz u detyruan t’i lëshonin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në hotele në jug të Anglisë.

Mediat holandeze raportuan për një të vdekur dhe disa të lënduar nga rrëzimi i pemëve në Holandë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG