Ndërlidhjet

Katër të vdekur pasi stuhia Debby godet Floridën


Rrugë të vëshruara në Florida pasi ky shtet u godit nga stuhia Debby. 5 gusht 2024.
Rrugë të vëshruara në Florida pasi ky shtet u godit nga stuhia Debby. 5 gusht 2024.

Të paktën katër persona kanë vdekur pasi stuhia tropikale, Debby, goditi Floridën më 5 gusht, duke kërcënuar se mund të shkaktojë shira të rrëmbyeshëm dhe vërshime katastrofale në shtetet në juglindje të Shteteve të Bashkuara.

Një djalë 13 vjeç vdiq në qarkun Levi, pasi një pemë ra në shtëpinë e tij mobile, përderisa stuhia Debby goditi brigjet e Floridës të hënën, si uragan i kategorisë 1.

Autoritetet thanë po ashtu se një shofer kamioni vdiq pasi ra me kamion në një kanal në qarkun Hillsbrou, ndërkaq një grua 38 vjeçe dhe një djalë 12 vjeç u vranë pas përplasjes së makinës së tyre në Diksi.

Gjatë natës, stuhia u zhvendos drejt Xhorxhias dhe sipas Qendrës Kombëtare amerikane për Uragane pritet që stuhia më pas të lëvizë drejt Karolinës së Jugut.

Vërshime në Xhorxhia. 5 gusht 2024.
Vërshime në Xhorxhia. 5 gusht 2024.

Drejtori i Qendrës Kombëtare për Uragane, Michael Brennan, tha se rreziku i shirave të rrëmbyeshëm nga kjo stuhi është shumë i madh, duke paralajmëruar për vërshime potencialisht katastrofale në pjesë të Xhorxhias, Karolinës së Jugut dhe Karolinës së Veriut.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, tha se afër 250.000 banorë në këtë shtet mbetën pa energji elektrike. Ai u bëri thirrje qytetarëve për kujdes. Por, shtoi se erërat e shkaktuara nga stuhia Debby nuk janë aq të fuqishme sa uraganet paraprake që kanë goditur Floridën.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar shpalljen e gjendjes emergjente në Floridë dhe Karolinën e Jugut, duke lejuar ndihmën federale për të koordinuar përpjekjet për ndihmë lidhur me katastrofat natyrore.

DeSantis po ashtu ka aktivizuar Gardën Kombëtare dhe më shumë se 3.000 pjesëtarë të Gardës janë mobilizuar për të ndihmuar qytetarët pas kësaj stuhie.

Qendra Kombëtare për Uragane tha se të hënën erërat e stuhisë Debby arritën deri në 75 kilometra në orë, derisa stuhia goditi Xhorxhian.

Sipas kësaj qendre, kjo stuhi pritet të sjellë “reshje historike” të shiut, teksa lëvizë drejt veriut të SHBA-së. Megjithatë, ky institucion tha se stuhia ka nisur të dobësohet pasi më herët erërat e shkaktuara nga Debby arritën në 130 kilometra në orë.

Në një qark të Floridës autoritetet urdhëruan evakuim të detyrueshëm, ndërsa në pjesë të tjera të këtij shteti autoritetet kanë lëshuar urdhra për evakuim vullnetar.

Guvernatorët e Xhorxhias dhe Karolinës së Jugut kanë shpallur gjendje emergjente para se stuhia Debby të godiste shtetet e tyre.

Për shkak të stuhisë, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris – që është kandidatja demokrate për zgjedhjet e nëntorit – ka shtyrë disa tubime zgjedhore në Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia.

Në korrik, të paktën 18 persona vdiqën kur uragani i fuqishëm Beryl goditi Karaibet dhe më pas shtetet jugore amerikane, Teksasin dhe Luizianën.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike luajnë rol kyç në intensifikimin e shpejt të stuhive, sikurse Berly për shkak se ka më shumë energji në një oqean të ngrohtë ku stuhi të tilla fitojnë fuqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG