Ndërlidhjet

Studentët e huaj në Bullgari ankohen për rritjen e racizmit dhe sulmeve


Aysar, i lindur në Gjermani, ka jetuar në Britaninë e Madhe, dhe tani është një nga shumë studentë të huaj të mjekësisë në Bullgari.
Aysar, i lindur në Gjermani, ka jetuar në Britaninë e Madhe, dhe tani është një nga shumë studentë të huaj të mjekësisë në Bullgari.

Etika e tij e punës dhe aftësia e tij që të flasë në gjuhën lokale, i ka mundësuar Aysarit – që nuk është emri i tij i vërtetë – të ketë shumë dashamirës në një spital në Bullgari, ku ai shpesh bën punë vullnetare.

Por, jo të gjithë si duket janë kaq dashamirës. Aysar tha se disa pjesëtarë të stafit në këtë spital, ku ai punon gjatë pushimit nga studimet e tij të mjekësisë, ia kanë bërë të qartë se ai nuk është i mirëpritur.

“Është racizëm. E kam parë se si [kjo kolege] trajton studentët bullgarë dhe studentët e bardhë të huaj dhe si ajo më trajton mua”, tha Aysar për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë. Ai u lind në Gjermani nga prindër pakistanezë, por shumicën e jetës së tij e ka kaluar në Britani.

Aysar është një prej mijëra të huajve që tani studiojnë në universitete në Bullgari. Pagesat që ata paguajnë rrisin fondet e shtetit për sistemin e arsimit. Megjithatë, sulmet e fundit ndaj studentëve të huaj vënë në pah atë që aktivistët thanë se ishte rritje e ksenofobisë në Bullgari.

Disa nga sulmet janë nxitur nga shpërndarja e dezinformatave në rrjetet sociale, përfshirë edhe disa pretendime të pabaza, të përhapura së fundi, që thonë se Bullgaria është në prag të një vale të emigrantëve të jashtëligjshëm.

“Kjo nuk ka të bëjë aspak me studentët. Ka të bëjë me ksenofobinë e shfaqur në shoqëri dhe dhunën në rrugë, qoftë verbale apo fizike”, tha për REL-in, Iliana Savova, drejtoreshë e programit të refugjatëve në Komitetin bullgar të Helsinikit, një organizatë joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Është jashtëzakonisht shqetësuese në një shoqëri evropiane në shekullin 21 që ne ende jemi dëshmitarë të krimeve të tilla të urrejtjes. Dhe, është më shqetësuese se ato janë të nxitura politikisht”, tha Bistra Ivanova, kryesuese e Kolektivit Multikulturor, një organizatë kyçe joqeveritare në Bullgari që punon për integrimin e emigrantëve dhe refugjatëve.

Racizmi ka pllakosur Bullgarinë, siç mund të dëshmojë komuniteti i madh rumun që gjendet në këtë shtet, i nxitur shpesh nga partitë nacionaliste dhe ksenofobe dhe nga mediat e lidhura me to.

Por, Sofja po ashtu ka ndërmarrë hapa për të luftuar këtë. Në korrik të vitit 2023, Asambleja Kombëtare bullgare – Parlamenti i shtetit – miratoi amendamente të reja në Kodin Penal, që parasheh dënime më të ashpra për krimet që vlerësohet se kanë për bazë motive raciste apo ksenofobe.

Pretendimi për ngacmim seksual

Aysar, i cili është student i vitit të fundit të mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë të Plevenit, tha se planifikon të kthehet në Britani sapo ta marrë diplomën e mjekësisë.

Aysar tha se përvoja e tij në Pleven, një qytete në veri të Bullgarisë me afër 90.000 banorë, ka qenë kryesisht pozitive, por tha se ai shpesh është përballur me abuzim verbal, një ankesë e zakonshme në mesin e të huajve të tjerë, të cilët shpesh thonë se veçohen pasi që nuk mund ta flasin mirë, ose fare gjuhën bullgare.

Por, armiqësia me të cilën u përball nga kolegët e tij në spitalin në Pleven e ka lënë atë të shtangur.

Një anëtar i stafit, kujtoi ai, e kërcënoi se do ta dëbonte. “Një herë u kërcënova [nga njëra prej kolegeve] se ajo do të bisedonte me kreun e këshillit studentor dhe me rektorin që të ma ndalonte shkuarjen në spital”, tha Aysar për REL-in.

Një tjetër pjesëtar i stafit, që deshi të mbetet anonim, la të kuptohej se Aysar, i cili është i martuar, kishte ngacmuar koleget në spital, një akuzë që ai e mohon. “Ai duhet të lë të qeta vajzat bullgare, sepse ato janë vetëm për ne, për meshkujt bullgar”, tha ai për REL-in.

“Kolegët u tronditën”, tha Aysar dhe “shumë infermiere më mbrojtën mua”.

Aysar është një prej mijëra studentëve të huaj që studiojnë në universitete në Bullgari dhe përvoja e tij është e ngjashme me shumë studentë të tjerë, sipas ekspertëve. Vetëm në javët e fundit, Bullgaria ka qenë dëshmitare e dy incidenteve të profilit të lartë, ku kanë qenë të përfshirë shtetasit e tuaj, shumica, mos thënë të gjithë, studentë universitarë, të cilët duket se në shënjestër vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës të tyre.

Më 7 mars, studentët britanikë të mjekësisë nga Universiteti i Plovdivit u ngacmuan në një ndalesë turistike afër fshatit Hrabrino. Ky grup u ndalua shkurtimisht nga vendësit, të cilët ishin të bindur se studentët ishin emigrantë të jashtëligjshëm.

Një ditë më vonë në Sofje, më shumë studentë britanikë të mjekësisë, po ashtu me prejardhje pakistaneze, u sulmuan në qendër të kryeqyteti bullar. Policia e cilësoi këtë incident si “tentim vjedhje”, në vend se ta cilësonte si sulm racist.

Sipas Ivanovës, racizmi është ende i përhapur nëpër Bullgari, e cila ka një shoqëri tradicionalisht konservatore.

“Derisa burrat shpesh fyhen, kërcënohen fizikisht dhe, nganjëherë, madje rrihen, gratë ‘gëzojnë’ vëmendje agresive seksuale dhe ndiqen gjithashtu për qëllime seksuale, sepse ato janë ‘tërheqëse’ dhe ‘të huaja’. Në vend se të ndihen të lajkatuara, shumica e vajzave dhe grave përjetojnë stres të vazhdueshme dhe frikë nga dhuna”, tha Ivanova.

Problemi i racizmit, i cili ka qenë gjithmonë i pranishëm, u keqësua në vitin 2013. Në atë kohë, Bullgaria u përballë me valën e parë të madhe të emigrantëve – shumica e të cilëve kishin ikur nga konflikti në Siri – që kërkonin mbrojtje, sipas Iliana Savova nga Komiteti bullgar i Helsinkit.

“Prej atëherë, urrejtja ndaj të huajve është futur qëllimshëm, sistematikisht dhe në mënyrë proaktive në shoqëri, sepse kjo është metodë klasike për ta larguar vëmendjen nga paaftësia për ta udhëhequr vendin dhe nga veprat e tuaja të këqija si, korrupsioni”, tha Savova.

Tani, në Bullgari po mbillet frikë, pas thashethemeve se vendi mund të përballet me një valë të re emigrantësh.

Këto druajtje të pabazuara kanë të bëjnë me futjen e Bullgarisë (dhe Rumanisë po ashtu) së shpejti – së paku pjesërisht – në Zonën Schengen, e cila mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve mes 27 vendeve evropiane – 23 vendeve të BE-së plus Islandës, Lihtenshtajnit, Norvegjisë dhe Zvicrës.

Nga 31 marsi, lëvizje të lirë do të ketë për ata që mbërrijnë me avionë apo me anije në Bullgari dhe Rumani po ashtu. Nuk është e qartë se kur do të hapen kufijtë tokësorë.

Incidentet e kohëve të fundit në Sofje, ku u përfshinë studentët e huaj dhe refugjatët, kanë nxitur thirrje nga disa politikanë për rritjen e pranisë policore nëpër rrugë. Midis rritjes së tensioneve, disa qindra njerëz protestuan në Sofje më 12 mars pranë një qendre refugjates në rrethinën Ovcha Kupel, duke kërkuar mbylljen e saj.

Këto ndjesi kundër emigrantëve janë ushqyer pjesërisht nga komentet e politikanëve të lartë, përfshirë nga Boyko Borisov, ish-kryeministri i vendit dhe lideri i tanishëm i partisë së qendrës së djathtë, GERB, dhe nga Delyan Peevski, një politikan që është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe anëtar i Lëvizjes Liberale për të Drejta dhe Liri.

Borisov, partia e së cilit është pjesë e koalicionit qeveritar dhe Peevski, partia e të cilit e mbështet Qeverinë, kanë bërë thirrje së fundmi për përforcimin e forcave të policisë kufitare bullgare, pavarësisht se nuk ka pasur rritje të incidenteve ku përfshihen emigrantët në kufi në vitin e fundit, sipas ministrit të Brendshëm, Kalin Stoyanov.

Politikanët më pak të njohur kanë bërë pretendime edhe më të paqëndrueshme madje.

Disa muaj më parë, partia e ekstremit të djathtë, Ringjallja, dhe ajo Ekziston një Popull i Tillë, përhapen dezinformata se Austria po i kërkonte Bullgarisë t’i pranojë 6.000 refugjatë afganë dhe sirianë, që Vjena të mos e kundërshtojë më futjen e plotë të Sofjes dhe Bukureshtit në Zonën Schengen.

Për ta luftuar keqinformimin dhe dezinformimin, Qeveria, së bashku me mediat dhe OJQ-të, duhet të bëjnë më shumë për të treguar se çfarë të mirash mund të sjellin të huajt në Bullgari, tha Ivanova, duke thënë se Bullgaria vetëm do të fitonte nga kjo.

“Ekonomia bullgare ka nevojë për të huaj dhe, të gjithë ne, do të fitojmë, nëse ia dalim t’i mbajmë ata dhe t’i integrojmë me sukses, sepse ata janë aset, kjo kërcënim”, shtoi ajo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG