Ndërlidhjet

Brutaliteti prej dekadash i Hamasit ndaj Izraelit


Militantët e Hamasit gjatë një parade. Qyteti i Gazës, 22 maj 2021.
Militantët e Hamasit gjatë një parade. Qyteti i Gazës, 22 maj 2021.

AP

Në tri dekada e gjysmë qëkur i nisi aktivitetet si një grup i fshehtë militant, Hamasi ka ndjekur vazhdimisht një strategji të dhunshme që synon të zmbrapsë sundimin izraelit – dhe ka bërë përparim të qëndrueshëm pavarësisht se ka sjell vuajtje të mëdha për të dyja palët e konfliktit.

Por, që nga inkursioni i tij i befasishëm në Izrael gjatë fundjavës paraqet sulmin më vdekjeprurës që Hamasi ka kryer deri më tani, dhe përgjigja tashmë e paprecedent e Izraelit kërcënon t’i japë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Rripin e Gazës.

Hakmarrja e Izraelit për sulmin e Hamasit, që ka lënë të vrarë mbi 1.200 persona në Izrael dhe dhjetëra pengje janë dërguar në Gaza, ka gjasa të sjellë një shkallë shumë më të madhe të vdekjeve dhe shkatërrimit në Gaza, ku 2.3 milionë palestinezë nuk kanë ku të ikin dhe ku deri më tani janë vrarë mbi 1.350 persona.

Zyrtarët e Hamasit kanë thënë se janë të përgatitur për çdo lloj skenari, përfshirë edhe një luftë të gjatë, dhe se aleatët sikurse Irani dhe Hezbollahu i Libanit do t’i bashkoheshin betejës nëse Izraeli përshkallëzon situatën.

“Nuk mendoj se për momentin dikush e di vërtetë se cili do të jetë përfundimi”, tha Tahani Mustafa, analist palestinez në Grupin e Krizës – një institut ndërkombëtar.

Por, duke pasur parasysh planifikimin e madh për këtë sulm, “është shumë e vështirë të imagjinohet se ata nuk janë përpjekur të bëjnë strategji për çdo skenar të mundshëm”, shtoi ai.

Shaul Shay, hulumtues izraelit dhe kolonel në pension, që në të kaluarën ka shërbyer në inteligjencën ushtarake, tha se Hamasi ka “keqllogaritur” përgjigjen e Izraelit dhe tani përballet me një konflikt shumë më të rëndë sesa militantët kishin parashikuar.

“Shpresoj dhe besoj që Izraeli nuk do të ndalet derisa Hamasi të mposhtet në Rripin e Gazës dhe nuk mendoj se kjo do të ishte pritshmëria e tyre [e Hamasit] para operacionit”, tha Shay.

Nga kryengritjet në kuazi-shtet

Që nga themelimi i tij në fund të viteve ’80, në prag të kryengritjes së parë palestineze, Hamasi ka qenë i përkushtuar ndaj luftës së armatosur dhe shkatërrimit të Izraelit. Në kulmin e procesit të paqes në vitet ’90, ky grup nisi një seri të sulmeve vetëvrasëse me bombë dhe sulmeve të tjera që vranë mijëra civilë izraelitë. Dhuna vetëm u intensifikua pas dështimit të bisedimeve të paqes dhe u bë edhe më vdekjeprurëse gjatë kryengritjes së dytë palestineze në vitin 2000.

*Video: Kronologjia e konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve

Historiku i konfliktit izraelito-palestinez
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Sulmet e Hamasit janë përballur me inkursione masive ushtarake të Izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Gazë, që kanë shkaktuar numër të madh të vdekjeve të palestinezëve. Por, me uljen e dhunës në vitin 2005, Izraeli në mënyrë të njëanshme tërhoqi ushtarët e tij dhe afër 8.000 kolonë hebrenj nga Gaza dhe në të njëjtën kohë mbajti kontroll të ashpër mbi qasjen nga toka, ajri dhe deti në këtë enklavë.

Hamasi pretendoi se tërheqja e ushtarëve izraelitë ishte për shkak të qasjes së tij dhe një vit më vonë fitoi zgjedhjet palestineze. Më 2007, pas luftimeve të ashpra, Hamasi pushtoi me dhunë Gazën nga Autoriteti Palestinez, që njihet ndërkombëtarisht.

Gjatë 16 vjetëve të ardhshme, përmes katër luftërave dhe betejave të panumërta më të vogla me Izraelin që shkatërruan Gazën, Hamasi vetëm u bë edhe më i fuqishëm. Çdo herë kishte më shumë raketa që mund të arrinin distanca më të mëdha. Çdo herë liderët e tij mbijetuan, duke siguruar një armëpushim dhe lehtësim gradual të bllokadës të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti. Ndërkohë, Hamasi ndërtoi një qeveri, përfshirë edhe një forcë policore, ministri dhe terminale doganore me detektorë metali dhe kontroll pasaportash.

Mijëra palestinezë të vrarë, ndërtesa banimi të rrafshuara, infrastrukturë e shkatërruar, kufizime ngufatëse të lëvizjes, ëndrra të ndërprera në mes të shumë personave në Gazë. Ky territor është një rrip bregdetar i gjatë 40 kilometra dhe gjendet midis Izraelit dhe Egjiptit.

Për të gjitha këto ndodhi në Rripin e Gazës, Hamasi ka fajësuar Izraelin, njësoj sikurse edhe shumë palestinezë. Qeveria e Hamasit përgjatë viteve është përballur me vetëm disa protesta sporadike, të cilat i ka shtypur me shpejtësi përmes dhunës.

Negociatat dhe pakënaqësitë

Nëse lufta e armatosur e Hamasit kundër Izraelit duket si një dështim –ose më keq – imagjinoni se cila është alternativa.

Udhëheqja palestineze në Bregun Perëndimor ka njohur Izraelin dhe ka hequr dorë nga lufta e armatosur më shumë se tri dekada më parë, duke shpresuar se kjo do të çonte në krijimin e një shteti në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jerusalemin Lindor, territore që janë pushtuar nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme më 1967.

Por, bisedimet e paqes vazhdimisht dështuan, pjesërisht për shkak të dhunës së Hamasit, por po ashtu për shkak të zgjerimit të pandërprerë të vendbanimeve të ndërtuara nga Izraeli, që tashmë janë shtëpi e më shumë se gjysmë milioni izraelitësh. Për më shumë se një dekadë nuk ka pasur bisedime serioze të paqes dhe Autoriteti Palestinez është shndërruar në një organ administrativ në 40 për qind të territorit të Bregut Perëndimor, ku lejohet të operojë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, politikan i moderuar, ka qenë i pafuqishëm për të ndalur zgjerimin e vendbanimeve, dhunën e kolonëve, shkatërrimin e shtëpive ose zbatimin e marrëveshjeve të kamotshme për vendin e shenjtë që gjendet përreth Jerusalemit. Ai është lënë nën hije në çdo luftë që është zhvilluar në Gazë – përfshirë edhe këtë të fundit – dhe Autoriteti Palestinez gjerësisht shihet si bashkëpunëtor i pushtimit.

“Palestinezët kanë provuar gjithçka, nga zgjedhjet e deri te bojkotet në [Gjykatën Ndërkombëtare Penale], por edhe të përfshirjes në një proces të supozuar të paqes”, tha Mustafa nga Grupi i Krizave. “Ka pasur një prej udhëheqjeve më pajtuese në gjithë historinë e lëvizjes kombëtare palestineze dhe sërish kjo nuk ka qenë e mjaftueshme”.

*Video: Fraksionet politike të palestinezëve

Pse janë të përçarë palestinezët?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Megjithatë, shkalla e sulmit e fundjavës bënë që qasja e Hamasit të kalojë në një dimension krejt të ndryshëm që nuk është parë më herët.

“Është e paqartë se cili është përfundimtar i Hamasit, përtej luftimeve deri në vdekje apo çlirimin e Palestinës”, tha Hugh Lovatt, ekspert për Lindjen e Mesme në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Sulmi i fundit përbën “një çarje të plotë strategjike”, tha ai.

“Pavarësisht kryerjeve të sulmeve ndaj civilëve në të kaluarën dhe luftërave të kaluara kundër Izraelit, [Hamasi] po ashtu njëkohësisht ishte angazhuar në disa rrafshe politike”, përfshirë negociatat me lëvizjen Fatah të Abbasit dhe madje ka pasur një koordinim të heshtur me Izraelin, tha Lovatt.

“Tani duket se e ka mbështetur plotësisht dhunën si një zgjidhje strategjike afatgjate”.

Për Izraelin, fitorja sërish mund të jetë e paarritshme

Izraeli duket se ka gjithnjë e më shumë gjasa që të nisë një ofensivë tokësore në Gazë. Ai mund të ripushtojë territorin në tentimin për ta çrrënjosur Hamasin dhe një aksion i tillë sigurisht që do të ishte i gjatë dhe i përgjakshëm. Por, edhe një vendim i tillë mund ta shtyjë Hamasin – i cili po ashtu është i pranishëm në Liban dhe Bregun Perëndimor – që t’iu rikthehet veprimeve nga fshehtësia.

Hamasi dhe grupi më militant, Xhihadi Islamik, janë duke mbajtur afër 150 burra, gra dhe fëmijë, të cilët u morën pengje dhe u dërguan në Rripin e Gazës. Krahu i armatosur i Hamasit ka pretenduar se disa nga pengjet tashmë janë vrarë gjatë sulmeve izraelite dhe ka kërcënuar se do të vrasë pengjet nëse Izraeli sulmon civilët palestinezë pa paralajmërim.

Hamasi mund të ketë sukses – siç ka pasur edhe në të kaluarën – që t’i këmbejë pengjet me mijëra të burgosur palestinezë që mbahen në burgjet në Izrael përmes një marrëveshjeje që palestinezët do ta shihnin si triumf dhe izraelitët si agoni.

Pas sulmit të Hamasit, ndaj Izraelit nuk ka pasur pothuajse asnjë thirrje për frenim, por ky aspekt mund të ndryshojë nëse lufta zvarritet.

Në fund, të dyja palët mund ta gjejnë veten duke u kthyer në status quo: Një armëpushim i ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, me Hamasin që sundon Gazën e shkatërruar dhe të varur nga ndihmat, dhe Izraelin duke rritur sigurinë përgjatë kufirit të tij.

Edhe kjo, të paktën për Hamasin, do të dukej si një fitore.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG