Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur të martën se do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 19 korrik në Bruksel.
Më 12 korrik, Vuçiq e ka bërë të ditur se i ka dërguar NATO-s letër zyrtare me kërkesë që ta takojë shefin e këtij institucioni.
Temë e bisedimeve besohet se do të jetë situata në Kosovë.
Stoltenberg dhe Vuçiq do të takohen në të njëjtën ditë kur pritet të zhvillohen bisedime në Bruksel në mes të krynegociatorëve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është pajtuar me Kosovën në marrjen e disa hapave për uljen e tensioneve në veri.
Sipas marrëveshjes – të arritur mes Lajçakut dhe Bislimit më 10 korrik në Bratisllavë – Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës
Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së
10 korrik 2023
Hapi | Veprimi | Koha |
---|---|---|
1 |
Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t'u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Java e parë |
2 |
Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Nga java e parë, në vazhdimësi |
3 |
Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. | Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur |
4 |
BE-ja do t'i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. | Java e dytë |
Burimi: Qeveria e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Kosova ka nisur t'ua hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, në kuadër të marrëveshjes së arritur me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.
“Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t’ua hapim rrugëve zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë, për shtensionim të situatës”.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.
Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.
Për shkak të mosdëgjimit të këshillave të faktorit ndërkombëtar për dhënie fund të krizës, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja.
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.