Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.
“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.
Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.
Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Serbia, në periudhën e kaluar, disa herë ka vendosur trupa pranë kufirit me Kosovën. Kurse, herën e fundit i vendosi pas sulmit në Banjskë, por e ka tërhequr ushtrinë pas ndërhyrjes diplomatike të Perëndimit.
Stoltenberg, po ashtu, tha në Beograd se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.
“Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me Vuçiqin.
Stoltenberg tha se temë e bisedës me Vuçiqin ishte edhe sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gjatë protestës së komunitetit serb në Zveçan, në fund të majit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve. U bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha ai.
Ai tha se me Vuçiqin ka biseduar edhe për rifillimin e stërvitjeve të përbashkëta të Forcave të Armatosura të Serbisë me forcat e NATO-s.
“Kjo nuk cenon neutralitetin e Serbisë. Serbia e ka bërë të qartë se ajo mbetet ushtarakisht neutrale, jashtë blloqeve ushtarake”, vlerësoi ai, duke shtuar se Serbia është një aktor i rëndësishëm rajonal dhe një partner afatgjatë i NATO-s dhe se shembull i mirë i bashkëpunimit është pjesëmarrja e Serbisë në programin Partneriteti për Paqe.
Serbia ndaloi stërvitjet ushtarake ndërkombëtare pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022.
Vuçiq: Është puna jonë se ku do ta vendosim ushtrinë
Duke komentuar kërkesën e Perëndimit që Serbia të mos e grumbullojë ushtrinë e saj në kufirin me Kosovën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u përgjigj se ushtria serbe "kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj".
“E, ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona”, shtoi ai.
Kur është fjala për hetimin e sulmit në Banjskë, Vuçiqi tha se “ai ka një pikëpamje tjetër për atë që ka ndodhur, por i kupton kërkesat e NATO-s dhe Perëndimit”.
"Në përputhje me ligjin dhe legjislacionin vendas, ne do të mbajmë përgjegjës ata që morën pjesë në kryerjen e veprave penale në Banjskë", shtoi ai.
Vuçiqi e cilësoi bashkëpunimin e Serbisë me NATO-n dhe misionin e KFOR-it, si të mirë dhe korrekt.
Vuçiq, po ashtu, tha se do t'i dërgojë kërkesë Qeverisë së Serbisë që të shqyrtojë vendimin për të marrë pjesë sërish në stërvitjet e përbashkëta "me NATO-n dhe partnerët e tjerë".
Vizita e Stoltenbergut në rajon po realizohet në kohën e tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.
Disa ditë para vizitës së Stoltenbergut në Kosovë, Ukraina paralajmëroi se Rusia po synon të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Për çështjen e fundit, Bashkimi Evropian është pajtuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërkaq nga Departamenti amerikan i Shtetit, i thanë Radios Evropa e Lirë se ndikimi malinj rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor pengon rrugën e shteteve drejt integrimeve euroatlantike. DASH u shpreh se pikërisht ky ndikim tregon urgjencën e punës që po bën Uashingtoni për të luftuar ndikimin rus.
Për synimin e Rusisë që të nxisë konflikte në rajon, foli më 19 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Moska po dëshiron të ndezë “një vatër krize në oborrin e Bashkimit Evropian” me qëllim që “ta shpërqendrojë NATO-n”.
Stoltenbergu sot do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, shtet anëtar i NATO-s, ku do të takohet me krerët shtetërorë dhe do t’i drejtohet Kuvendit të këtij shteti.
Më 22 nëntor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do ta përmbyllë turneun ballkanik me një takim me udhëheqësit e shteteve anëtare të NATO-s nga rajoni. Ai do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidentin kroat, Zoran Millatoviq, kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, dhe me atë të Sllovenisë, Robert Golob.