Ndërlidhjet

Aleanca e udhëhequr nga Rusia mban stërvitje ushtarake në Bjellorusi


Ushtarët nga Kirgizia që po marrin pjesë në stërvitjet në Bjellorusi.
Ushtarët nga Kirgizia që po marrin pjesë në stërvitjet në Bjellorusi.

Vlerësohet se 2.500 trupa nga Organizata e Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) - aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia – kanë nisur stërvitjet ushtarake në pjesë të Bjellorusisë që gjenden në kufi me Poloninë dhe Lituaninë, dy shtete anëtare të NATO-s.

Stërvitjet pritet të zgjasin deri më 6 shtator. Në to janë përfshirë trupat nga Rusia, Bjellorusia, Kirgizia, Kazakistani dhe Taxhikistani. Edhe Armenia bën pjesë në CSTO, por nuk ka dërguar trupa për këto stërvitje.

Ministri i Mbrojtjes së Kazakistanit, Ruslan Zhaqsylyqov, tha se ushtarët e shtetit të tij do të marrin pjesë në stërvitje, por nuk do të dërgojnë pajisje ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë tha se stërvitjet synojnë të përgatisin trupat për operacione të përbashkëta, përfshirë edhe për përgjigje ndaj ndonjë incidenti bërthamor, por edhe për ndarjen e informacioneve të inteligjencës.

Stërvitjet në Bjellorusi po vëzhgohen nga përfaqësues të Kinës, Iranit, Arabisë Saudite dhe Mongolisë.

Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, tha një ditë më parë se shteti i tij kishte ftuar edhe përfaqësuesit e Polonisë në cilësinë e vëzhguesve.

Një zyrtar i Ministrisë bjelloruse të Mbrojtjes tha se Polonia kishte refuzuar këtë ftesë.

Ukraina, që gjendet në kufi me Bjellorusinë, ka forcuar mbrojtjen në kufijtë e saj para mbajtjes së stërvitjeve.

“Për ne, çdo veprim nga armiku, përfshirë edhe mbajtja e stërvitjeve në territorin e saj, është diçka që rrit rrezikun”, tha gjenerali ukrainas, Serhiy Naiev, që udhëheq komandën e forcave të përbashkëta të Ukrainës.

Në Bjellorusi ka trupa dhe pajisje ushtarake të Rusisë që janë përdorur në luftën në Ukrainë, por trupat bjelloruse nuk kanë marrë pjesë në pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Po ashtu, në Bjellorusi janë të stacionuar edhe luftëtarët e grupit mercenar rus, Wagner.

Rusia po ashtu ka njoftuar se ka vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG