Ndërlidhjet

Srebrenica do t’i riemërtojë rrugët duke injoruar gjenocidin


Kuvendi Komunal i Srebrenicës, Bosnjë e Hercegovinë, voton për riemërtimin e rrugëve, 15 prill 2024.
Kuvendi Komunal i Srebrenicës, Bosnjë e Hercegovinë, voton për riemërtimin e rrugëve, 15 prill 2024.

Anëtarët serbë të Këshillit Komunal të Srebrenicës kanë votuar për riemërtimin e shumë rrugëve të qytetit, për t’i nderuar viktimat serbe të luftës, por duke e injoruar njëkohësisht masakrimin e 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë më 1995.

Me gjithë kërkesat ndërkombëtare për ta rishqyrtuar planin dhe pas bojkotit nga anëtarët boshnjakë të këshillit, propozimi për riemërtimin e 25 rrugëve në Srebrenicë dhe fshatin fqinj, Skelani, u miratua më 15 prill.

Ky vendim është cilësuar nga kritikët si tentim i radhës për ta fshirë historinë e mizorisë më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas planit, një shesh dhe një pjesë e një rruge është riemërtuar “Republika Sërpska”, për nder të emrit të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës. Një rrugë tjetër do të riemërtohet në emër të një komandanti kontrovers serb nga Lufta e Parë Botërore.

Masakra e korrikut 1995, e cila u krye nga forcat serbe të Bosnjës, është shpallur gjenocid nga ish-Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Deri tani, më shumë se 50 njerëz janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska [1992/1995], entitetit kryesisht serb i cili bashkë me federatën boshnjake dhe atë kroate e përbëjnë Bosnjën, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera, përfshirë në Srebrenicë.

Komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në atë kohë, Ratlko Mlladiq, po e vuan një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid po ashtu.

*Video nga arkivi: Në kërkim të mbetjeve mortore të viktimave të Srebrenicës

"Sillni të paktën dy kocka dhe varrosni, që të dihet se fëmija im ka jetuar"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:55 0:00

Propozimi kontrovers u miratua, pavarësisht se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) bëri thirrje për një “zgjidhje transparente dhe gjithëpërfshirëse” për emrat e rrugëve në Srebrenicë.

Muajin e kaluar, misioni i OSBE-së në Bosnjë e Hercegovinë e mirëpriti Projektin Rrugët për Paqe, një nismë nga të rinjtë e qytetit për t’i riemëruar rrugët duke përdorur emra gjithëpërfshirës dhe neutral, si "Rruga e së Ardhmes", "Rruga e Tolerancës" dhe "Fëmijët e Srebrenicës".

Ky vendim vjen në prag të një debati të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 17 prill, ku do të diskutohet një rezolutë e OKB-së për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, e cila pritet të votohet më 2 maj.

Rezoluta është pjesërisht e ngjashme me rezolutën për gjenocidin e Ruandës, ku rreth 800.000 tutsi dhe hutu ishin vrarë. Drafti i saj është zhvilluar nga një grup vendesh, përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara.

Rezoluta është kundërshtuar nga Millorad Dodik, lideri prorus i Republikës Sërpska, i cili ka kërcënuar se, nëse miratohet rezoluta “Republika Sërpska do të tërhiqet nga procesi i vendimmarrjes në Bosnje”.

Sipas planit të ri, Parku i Qytetit i Srebrenicës do të riemërohet "Parku i Kosta Todoroviqit", për nder të komandantit çetnik nga Lufta e Parë Botërore.

Çetnikët ishin grupe serbe paramilitare dhe untranacionaliste që luftuan fillimisht kundër Perandorisë Osmane gjatë luftërave në Ballkan më 1912 dhe 1913, si dhe gjatë Luftës së Parë Botërore.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat çetnike kryen krime lufte në Bosnje, përfshirë vrasje masive dhe dënime.

Disa formacione serbe paramilitare dhe ushtarake e quanin veten çetnikë edhe gjatë luftërave në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë në vitet ’90.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG