Ndërlidhjet

SpaceX lëshon në hapësirë një anije kozmike të ushtrisë amerikane


Momenti i lëshimit të anijes sekrete kozmike të ushtrisë amerikane nga SpaceX.
Momenti i lëshimit të anijes sekrete kozmike të ushtrisë amerikane nga SpaceX.

Raketa Falcon Heavy e SpaceX u nis drejt hapësirës të enjten për të transportuar dronin sekret X-37B të ushtrisë amerikane në një mision kërkimor.

Pas javësh vonesë, raketa u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida në orën 20:07, sipas kohës lokale, dhe nisja e raketës u transmetua drejtpërdrejt në ueb-faqen e kompanisë SpaceX.

Është e paqartë se ku është nisur anija kozmike pa ekuipazh, që funksionon në mënyrë autonome. Kjo anije është nisur në misionin e saj të shtatë.

Pentagoni ka dhënë pak informacione për dronin hapësinor dhe për misionin e tij, që fillimisht ishte paraparë të niste më 7 dhjetor. Ndërkaq, SpaceX vetëm ka përmendur emrin e misionit të koduar nga Pentagoni - USSF-52 - në deklaratën e lëshuar për këtë mision.

“Falcon Heavy ka lansuar misionin USSF-52 në orbitë”, tha SpaceX.

Më herët, Petagoni ka thënë se misioni i shtatë i tij X-37B do të synonte “disa eksperimente”.

“Këto testime përfshijnë operimin e avionit hapësinor në zona të reja orbitale, eksperimentimin me teknologjitë e reja për të kuptuar më mirë hapësirën dhe hetimin e efekteve të rrezatimit në materialet e ofruara nga NASA”, kishte deklaruar muajin e kaluar Departamenti amerikan i Zyrës për Aftësi të Shpejta të Forcave Ajrore.

Sa i përket dronit hapësinor të lëshuar, autoritetet kanë thënë se ai ka madhësinë e një autobusi të vogël dhe duket si një mini-version i anijeve hapësinore që u larguan nga përdorimi më 2011. Në misionet e kaluara, X-37B ka kryer testime për NASA-n lidhur me ndikimin që ka rrezatimi ndaj farave dhe materialeve të tjera.

Lëshimi i anijes nga Falcon Heavy vjen dy javë pasi Kina dërgoi në hapësirë një avion hapësinor robotik, të quajtur Shenlong. Sipas agjencisë kineze të lajmeve, Xinhua, kjo anije kozmike do të qëndrojë në orbitë “për një periudhë kohore” dhe do të kryejë eksperimente të ndryshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG