Ndërlidhjet

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave


Fotografi e realizuar gjatë ceremonisë së nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Strasburg, 19 prill 2023.
Fotografi e realizuar gjatë ceremonisë së nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Strasburg, 19 prill 2023.

Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Pas ceremonisë së nëshkrimit, raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit që kanë pasaporta të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

“Ky vendim nuk është kuptimplotë vetëm për Kosovën, për shkak se të gjithë shtetasit e tjerë të rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës. Ishte i padrejtë, i paarsyeshëm dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi. Kosova ka punuar shumë për të plotësuar të gjitha kushtet dhe për t’i përmbushur ato para shumë vjetësh dhe tashmë po shpërblehet për këtë gjë. Por, nuk është vetëm moment i rëndësisë së madhe për Kosovën, por është me rëndësi edhe për ne, pasi BE-ja përfundimisht e përmbushi premtimin e vetë”, tha Reuten.

Ai shtoi se ky vendim hap kapitull të për integrimin e rajonit në bllokun evropian.

"Nuk mund t’ia falim vetes që të na ikë kjo mundësi për një kohë të gjatë. Duhet të punojmë që këtë rajon ta fusim në familjen tonë evropiane", tha Reuten.

Bislimi gjatë konferencës për media tha se nga janari nuk do të ketë "mijëra mundësi të humbura" për shtetasit e Kosovës. Ai tha se ky vendim ka të bëjë pikë së pari me qytetarët, por ka të bëjë edhe "me Kosovën më afër BE-së, por edhe për BE-në më afër Kosovës".

Bislimi tha se autoritetet do të nisin fushatë informuese lidhur me kufizimet që vijnë me liberalizimin e vizave.

"Ky ka qenë një proces i gjatë, i vështirë, me shumë pengesa rrugës dhe ka marrë 11 vjet kohë për ta përmbyllur", tha Bislimi.

"Liberalizimi i vizave do të mundësojë kontakte midis njerëzve, të përforcojë lidhjet tona me BE-në, të konfirmojë përkushtimin e BE-së për rajonin dhe të rrisë aktivitetet biznesore, arsimore dhe kulturore për qytetarët tanë", shtoi ai.

Reuten u pyet nëse liberalizimin e vizave do të mund ta gëzojnë edhe serbët, të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga qendra koordinuese në Beograd.

"Besoj që legjislacioni është i qartë, pasaportat që lëshohen nga autoritetet kosovare dhe [sa i përket] pasaportave të serbëve që veçse jetojnë në Serbi, ata kanë liberalizim tashmë. Është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm", tha Reuten.

Ndërkaq, Bislimi tha se të gjithë shtetasit serbë të Kosovës, që ende nuk janë të pajisur me pasaporta kosovare, do të kenë afat prej tetë muajsh, para se vendimi për vizat të hyjë në fuqi.

Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, dhe ata përjashtohen nga lëvizja pa viza.

Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare, që pritet të ndodhë pas 20 ditësh.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG