Në një furrë buke të vjetër më shumë se një shekull, që gjendet në qendër të Prizrenit, disa anëtarë të familjes Qollaku fillojnë përgatitet në orën 14:00 me qëllim që të kënaqin bashkëqytetarët e tyre, të cilët vijnë për të blerë somune ose bukë për Ramazan. Pa këtë produkt, iftari nuk mund të imagjinohet në këtë qytet në jugperëndim të Kosovës.
Nga rreth 50 furra buke, aq sa ka në këtë qytet, kjo është një nga furrat e pakta ku somunet përgatiten në mënyrë tradicionale. Ato piqen në furrë me dru, ashtu siç është bërë me shekuj.
“Somunet përgatiten me miell, kripë, maja të bukës dhe ujë. Esenca qëndron në atë se ajo duhet të jetë më e butë krahasuar me brumërat e tjerë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hysen Qollaku, i cili vazhdon këtë zanat, që familja e tij e ka traditë gati dy shekuj. Ky person, që është afër të 60-ave, që në fëmijëri ka punuar në furrë.
Ndërsa ai po përgatit brumin së bashku me familjarin e tij, furra gjendet në një dhomë tjetër të madhe.
Hajdar Qollaku është pak më i ri në moshë. Ai bën përgatitjet e fundit pasi po afrohet ora 17:00, kur klientët nisin të blejnë somunet ose sjellin vezë shtesë, djathë të grimcuar ose mish, që i shtohet këtij produkti.
“Traditën e përgatitjes së somuneve për Ramazan në Kosovë e kemi ‘importuar’ nga Turqia. Për arsye mjedisore, familja jonë edhe pas 200 vjetësh punë, somunet i pjekim me dru.
Për pjekjen e tyre duhet të jetë temperatura deri në 350 gradë Celsius dhe ato piqen për dy deri në tre minuta”, tregon Hajdari, i cili është përgjegjës për pjekjen e somuneve.
Ai mban një peshqir në qafë sepse vazhdimisht është i ekspozuar ndaj temperaturave të larta. Brumin e formuar e fut në furrë dhe e heq kur të piqet.
Me krenari ai tregon se është gjenerata e katërt që bën këtë punë dhe dikur familja e tij kanë pasur furra të bukës në Mal të Zi dhe në qytetin serb të Suboticës.
“Kjo është një punë jashtëzakonisht e vështirë dhe është një mënyrë e pazakontë e të jetuarit. Unë zgjohem herët, nuk kam kohë të lirë. Këtu punoj që nga viti 1993, pasi mbarova shkollën e mesme. E dua erën e somuneve dhe këtë zanat e kam mësuar nga vëllezërit e mi, ata e mësuan nga babai dhe kështu me radhë. Siç janë gjërat për momentin, nuk besoj se fëmijët e mi do të ndjekin rrugën time”, thotë ai.
Me afrimin e iftarit, qyteti nis të gjallërohet. Turmat e njerëzve janë të mëdha. Shumë prej tyre presin në radhë para furrave për të blerë somune për veten dhe familjen e tyre. Që të gjithë presin me durim.
“Kam rreth 50 vjet që blej somunet e Ramazanit në këtë furrë buke sepse kanë një shije unike në këtë muaj të shenjtë. Kam dëgjuar se furrtarët nga disa qytete të tjera të Kosovës, përfshirë edhe Prishtinën, kanë tentuar të vjedhin recetën e Prizrenit, por nuk ia kanë dalë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Bedri Hoti.
Flaka Bamja po pret në radhë para kësaj furre. Ajo ka marrë me vete një tavë dhe një pecetë që të mbulojë somunet në mënyrë që të mos ftohen derisa t’i dërgojë në shtëpi dhe derisa të bëhet iftari.
“Mesa e mbaj mend, somunen e parë e kam ngrënë kur kam qenë pesëvjeçare. Babai im vinte gjithmonë këtu për Ramazan, pasi pa somune nuk mund ta imagjinoj iftarin. Unë e vazhdoj këtë traditë tani dhe besoj që edhe fëmijët e mi do ta bëjnë të njëjtën gjë”, thotë ajo.
Rreth orës 19:00, turma zvogëlohet ndjeshëm. Familja Çollaku e përfundon punën për këtë ditë. Ata i shitën të gjithë somunet, dhe thonë me të qeshur se nganjëherë mbesin pa somune për vete.
Gjëmimi i topit nga kalaja e qytetit, dhe më pas ezani i thirrur nga imamët e dhjetëra xhamive, shënojnë përfundimin e agjërimit dhe fillimin e iftarit. Në tryezë janë të pranishme somunet, hurmat dhe ushqimet e tjera të përgatitura.
Facebook Forum