Ndërlidhjet

Solidariteti i Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë


Kampi në Durrës
Kampi në Durrës

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe qytetarë të bashkësive tjera etnike, kanë ndërmarrë aksione të shumta për grumbullimin e ndihmave për banorët e goditur nga tërmeti shkatërrues në disa zona të Shqipërisë.

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev, në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka ndarë një fond prej 100 mijë eurosh, ndërsa më shumë se 100 mijë të tjera janë ndarë nga komunat dhe Kryqi i Kuq, që ka nisur edhe ekipe të shpëtimit në rajonet e goditura në Durrës e Thumanë.

“Bashkë me kontingjentin e ndihmave humanitare për në zonat e goditura nga tërmeti kanë shkuar edhe dy ekipe vullnetare që do të jenë në dispozicion të Kryqit të Kuq Shqiptar. Kështu që, ne do të jemi një kohë të gjatë atje, koha do t'i tregojë nevojat që do të ketë popullata atje”, thotë Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.

Ekipe të emergjencës janë dërguar edhe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, nga njësitet e zjarrfikësve dhe të organizatave humanitare, ndërkohë që në të gjitha qytetet po zhvillohen aksione të grumbullimit të ndihmave, nga shoqatat humanitare, unionet studentore, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

“I ftojmë të gjithë qytetarët që duan të ndihmojnë, që të dhurojnë aq sa kanë mundësi, që me këto fonde e ndihma të mbledhura, t’ju sigurojmë familjeve shqiptare tenda, batanije, ushqime dhe mjete të ndryshme, për të cilat kanë nevojë”, ka deklaruar një studente nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndihma po grumbullohen edhe në Kumanovë, nga të gjitha bashkësitë etnike, pa përjashtim.

“Ka një mobilizim të mirë, njerëzit sjellin edhe mjete materiale, gjëra tjera ushqimore e veshmbathje. Ka edhe qytetarë të palës maqedonase që janë solidarizuar, na vjen mirë për këtë, ndërsa ka edhe nga bashkësitë tjera etnike”, thotë një aktivist nga Kumanova.

Vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Thumanë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Ndihma kanë ofruar edhe objektet hotelierike në qytetin e Strugës dhe të Ohrit.

“Jemi në kontakt të vazhdueshme me miq e njerëz të tjerë në Shqipëri, sigurisht që dyert tona janë të hapura gjithmonë për ta, sidomos në këtë rast dhe halli me ta mund të ndahet duke qëndruar fizikisht këtu te ne”, thotë Xheladin Poshka, hotelier në Strugë.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, së bashku me ministrat e partisë së tij në qeveri, drejtues të pushtetit lokal dhe zyrtarë të tjerë, është nisur drejt Shqipërisë. Ahmeti tha se shqiptarët në këtë nëntor të festave të kombit, do të arrijnë ta kapërcejnë edhe këtë tragjedi natyrore.

“Ky është një nëntor ku ne sot, me ndjenja kremtojmë, por edhe shfaqim solidaritetin me të gjithë ata njerëz që humbën jetën në këtë tragjedi. Shprehim ngushëllimet tona, por edhe përkrahjen morale për ata që mbetën gjallë”, ka deklaruar Ahmeti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG