Ndërlidhjet

Receta e skandalit të spiunimit: Shpërthime, agjentë rusë dhe një tregtar armësh


Një protestues mban një flamur kombëtar çek para Ambasadës Ruse në Pragë më 18 Prill.
Një protestues mban një flamur kombëtar çek para Ambasadës Ruse në Pragë më 18 Prill.

Dy të vdekur, shtëpi të dëmtuara disa kilometra larg dhe një krater që digjej në një pyll në lindje të Çekisë. Këto ishin pasojat e një shpërthimi që ndodhi më 16 tetor të vitit 2014 në një depo municioni në Çeki, afër kufirit me Sllovakinë.

Trupat e dy burrave që ishin duke punuar në atë vend u gjetën pas afro një muaji.

Dy muaj më vonë, një shpërthim tjetër ndodhi rreth një kilometër larg.

Incidenti tronditi autoritetet çeke.

Në atë kohë, çekët kishin kthyer kokën nga Ukraina dhe po përcillnin me vëmendje luftën e ashpër që po zhvillohej për shkak të një kryengritjeje separatiste, e cila u nxit nga Rusia.

Nëse kishte ndonjë ndërlidhje ky incident me atë konflikt, asnjëherë nuk u bë e ditur publikisht nga ana e hetuesve.

Por, më 17 prill të këtij viti, zyrtarët çekë, njoftuan pretendimet se ekziston një ndërlidhje e drejtpërdrejtë mes shpërthimeve dhe agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake, e njohur si GRU, përkatësisht të një divizoni i njohur si Njësia 29155, i cili ka qenë i lidhur me përpjekjet për vrasje dhe veprime tjera në të gjithë Evropën.

Aktualisht, tensionet në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës janë në rritje, pasi Moska ka dërguar trupa shtesë ushtarake në rajon. Në ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të fuqishme ndaj Rusisë si dhe kanë dëbuar dhjetë diplomatë rusë.

Zhvillimet në Çeki përveç që tronditën politikën në Pragë, mbase do të lëkundin edhe më shumë raportet mes Perëndimit dhe Rusisë.

"Ekzistojnë dëshmi të qarta në lidhje me përfshirjen e oficerëve të shërbimit inteligjent rus të GRU-së me shpërthimin në depon e municioneve", tha kryeministri çek, Andrej Babis, gjatë një konference për media më 17 prill.

Babis gjithashtu njoftoi për dëbimin e 18 punonjësve të Ambasadës së Rusisë në Pragë.

"Republika e Çekisë është një shtet sovran dhe duhet të reagojë në përputhje me rrethanat", tha ai.

Milos Vystrcil, është president i Senatit të Çekisë, dhe kundërshtar politik i kahmotshëm i kryeministrit Babis.

Ai tha se shpërthimi mund të vlerësohet si një akti i “terrorizmit shtetëror”, ndaj të cili duhet të reagohet “qartë dhe ashpër”.

Në njoftimin mbi rezultatet e hetimeve për shpërthimin, autoritetet çeke bën një ndërlidhje indirekte jo vetëm me luftën e Ukrainës me Rusinë, por edhe me helmimin misterioz, që gati e mbyti bullgarin, Emilian Gebrev, një tregtar armësh. Helmimi i tij ndodhi në Sofje të Bullgarisë.

Biznesmeni bullgar, Emilian Gebrev.
Biznesmeni bullgar, Emilian Gebrev.

Zyrtarët nuk folën publikisht për një ndërlidhje mes rastit të biznesmenit bullgar dhe shpërthimeve, por ishte transmetuesi publik - Radio Çeke - dhe revista e lajmeve Respekt, që në raportimet e tyre, cituan burime të paidentifikuara të thoshin se këto dy raste ishin të lidhura.

Më hapur për këtë çështje foli ministri i Brendshëm çek, njëherësh ministër i Jashtëm në detyrë, Jan Hamacek.

“Mund të konfirmoj se ka një bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë edhe Bullgarinë”, tha ai gjatë një interviste në televizionin CT24.

Në vitin 2014, Ukraina kishte kërkuar ndihmën e biznesmenit për furnizim me municione. Këtë e konfirmoi për Shërbimin e Ukrainës të Radios Evropa e Lirë, një ish-zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë.

Akuzat janë mohuar nga ana e zyrtarëve rusë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i quajti pretendimet si “imagjinare”. Në shenjë hakmarrjeje ndaj veprimeve të Çekisë, Moska dëboi 20 diplomatë çekë.

“Nuk më bie në mend ndonjë ngjarje kaq domëthënëse në 30 vjetët e fundit në Çeki”, i tha Radios Evropa e Lirë, Pavel Havlicek, një ekspert i Asociacionit për Çështje Ndërkombëtare me seli në Pragë.

"Shumë ndikime pritet të ketë kjo ngjarje në raportet diplomatike, politike dhe shoqërore ndërmjet Çekisë dhe Rusisë”, tha ai.

Çka është njësia 29155?

Nëse konfirmohet ndonjë lidhje mes shpërthimeve dhe helmimit të biznesmenit, atëherë kjo do të sillte detaje të reja të provave për aktivitete të ngjashme të Njësisë 29155 dhe në përgjithësi të shërbimit GRU në të gjithë Evropën.

Dy njësi tjera, të njohura si Njësitë 26165 dhe 74455 – janë përmendur në disa hetime ndërkombëtare të sulmeve kibernetike.

Këshilltari i Posaçëm në SHBA, Robert Mueller, i kishte përmendur këto njësi në hetimin e tij për sulmet kibernetike ndaj partive politike në Shtetet e Bashkuara më 2016.

Ato ishin të lidhura gjithashtu me përpjekjet për të bërë sulm kibernetik ndaj Agjencisë Botërore Anti-Doping dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila ka luajtur një rol kyç në hetimin e përdorimit nga ana e Rusisë të agjentëve nervorë, përfshirë Noviçokun.

Njësia 29155 e ngjalli vëmendjen e publikut tre vjet pas helmimit të biznesmenit bullgar, pasi në Sallsbëri të Britanisë së Madhe, një ish-oficer i inteligjencës ushtarake ruse Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia, u sëmurën papritur. Në Rusi ai ishte i dënuar për tradhti nën dyshimet se i kishte dërguar dokumentacion të klasifikuar të shërbimet inteligjente perëndimore.

Autoritetet britanike kishin zbuluar se Skripal ishte helmuar me Noviçok.

Noviçok është një agjent i fuqishëm nervor i zhvilluar nga shkencëtarët sovjetikë.

Për këtë incident, nga i cili mbet i vdekur një grua britanike, hetuesit akuzuan dy burra për të cilët thanë se ishin agjentë ushtarakë rusë. Akuzat, ata i bazuan në pamje të kamerave si dhe të dhëna tjera.

Agjentët rusë mbanin pasaporta të ndryshme, përfshirë dokumente ruse, me emrat e Aleksandr Petrov dhe Ruslan Boshirov. Gazetarë të ndryshëm, përfshirë grupin hulumtues Bellingcat, më vonë njoftuan identitetin e burrave si: Aleksandr Mishkin dhe Anatoly Chepiga. Ky informacion përfundimisht u konfirmua nga autoritetet amerikane dhe britanike.

Radio Evropa e Lirë në tetor të vitit 2019 zbuloi detaje tjera për Njësinë 29155.

Në një fotografi nga dasma e një komandanti të njësisë, shihej prezenca e njërit prej dy zyrtarëve të inteligjencës ushtarake të Rusisë, që ka vepruar me identitet tjetër për të helmuar me agjent nervor Noviçok.

Në dy fotografi të bashkuara shihen, Anatoly Chepiga, një nga të dyshuarit e helmimit të Sergei Skripalit dhe gjenerali rus, Andrei Averyanov në dasmën e vajzës së tij.
Në dy fotografi të bashkuara shihen, Anatoly Chepiga, një nga të dyshuarit e helmimit të Sergei Skripalit dhe gjenerali rus, Andrei Averyanov në dasmën e vajzës së tij.

Mishkin dhe Chepinga kanë qenë në lindje të Republikës së Çekisë në tetor të vitit 2014, në periudhën kur ndodhën shpërthimet, tha policia çeke duke njoftuar se po i kërkon ata për t’i intervistuar.

Deklarata e policisë u bë në të njëjtën kohë derisa kryeministri Babis po njoftonte për gjetjet e hetimeve për shpërthimin.

Lidhja me Bullgarinë

Më 28 prill të vitit 2015, biznesmeni Emilian Gebrev, po hante darkë në një restorant luksoz në Sofje, kur filloi të vjellë dhe kishte halucinacione të forta.

Ai u dërgua me urgjencë në një spital ushtarak. Gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ra në koma.

Edhe djali i tij si dhe një shef i kompanisë për tregti të armëve EMCO, u sëmurën gjithashtu.

Pas trajtimit në spital, ai përfundimisht u shërua. Hetuesit bullgarë nuk bën shumë përparim në identifikimin e shkakut të sëmundjes apo fajtorëve të mundshëm. Nuk dihej shumë për këtë rast deri tre vjet pas kur u helmua Skripal.

Pas bashkëpunimit me Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), inteligjencën britanike dhe agjenci tjera, autoritetet bullgare konkluduan se një burrë i panjohur e kishte lyer me një substancë dorezën e derës së makinës së tij.

Grupi hulumtues Bellingcat tha se një agjent i njohur rus i cili kishte udhëtuar në Angli përafërsisht në të njëjtën kohë kur ndodhi helmimi i Skripalit, kishte udhëtuar gjithashtu disa herë në Bullgari. Ky person besohet të jetë pjesë e Njësisë 29155.

Prokurorët bullgarë në vitin 2020 akuzuan tre rusë për përfshirje të pretenduar në helmimin e biznesmenit.

Nëse biznesmeni bullgar ishte i përfshirë në përpjekjet për t’i shitur armë Ukrainës, ende nuk është e ditur plotësisht.

Raportet e mediave thonë se kompania e tij kishte nënshkruar një kontratë me qeverinë ukrainase në vitin 2014 për të furnizuar këtë vend me municion artilerie.

Viktor Yahun, ka qenë zëvëndësdrejtor i Shërbimit Sekret të Ukrainës. Ai tha se në tetor të vitit 2014, Kievi kishte kërkuar të furnizohej me municion nga Bullgaria. Kjo kishte ndodhur në kohën kur ndodhën shpërthimet në depot çeke.

“Ky biznesmen që dyshohet se u helmua nga shërbimet e inteligjencës ruse, po kërkonte për municione në vendet e ish-Traktatit të Varshavës dhe vendi më i mirë për magazinimin e tyre tranzit para se të dërgoheshin në Ukrainë ishte, në fakt, Republika e Çekisë”, tha Yahun në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se pas atij incidenti edhe organet e sigurisë çeke, por edhe ato ukrainase kishin dyshime se kjo nuk mund të jetë një rastësi.

Shërbimi Bullgar i Radios Evropa e Lirë ka provuar të kontaktojë biznesmenin bullgar, mirëpo ai nuk është përgjigjur në telefon dhe as përmes mesazheve.

Pavarësisht se në janar Bullgaria njoftoi për akuzat ndaj tre rusëve, tre muaj më vonë, Prokurori i Përgjithshëm bullgar njoftoi se hetimet ishin pezulluar. Njoftimi ishte befasues për shumë brenda dhe jasht vendit.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Bojko Noev, i cili ka raporte të afërta me Gebrev, tha se kanë dalë në pah probleme të mëdha në lidhje me hetimin bullgar.

"Njoftimet për zbulimet e fundit në Republikën e Çekisë sërish sjellin pyetjen: Pse në mënyrë sistematike u pengua dhe në fund u ndalua hetimi për helmimin e tij?", tha ai.

Rasti i Çekisë

Hetimet çeke kishin ngecur për pothuajse tre vjet, mirëpo ato morën një vrull të ri pas helmimeve në Sallsbëri më 2018.

Në vitet e fundit, raportet e Çekisë me Rusinë kanë qenë të lëkundura, pavarësisht se presidenti çek, Millosh Zeman e ka shprehur hapur simpatinë e tij për Moskën.

Raportet mes dy vendeve u përkeqësuan kur në fillim të vitit 2020, zyrtarët e qytetit të Pragës e hoqën një statujë të një heroi rus të Luftës së Dytë Botërore dhe riemërtuan sheshin para Ambasadës Ruse me emrin e ish-zëvendëskryeministrit rus, Boris Nemtsov, i cili është vrarë më 2015 afër Kremlinit. Ai ka qenë një kundërshtar i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin.

Në atë kohë të dyja vendet shkëmbyen një retorikë të ashpër.

Në periudhën e fundit, brenda Çekisë, ka pasur gjithashtu ndasi në lidhje me blerjen e vaksinës ruse Sputnik V kundër koronavirusit. Çekia ka shënuar nivelet më të këqija të të infektuarve me COVID-19 në Evropë.

Ende nuk është e qartë pse autoritetet çeke vendosën që bash në këtë kohë t’i bëjnë publike pretendimet e tyre për përfshirje të Moskës në shpërthimet e vitit 2014.

Revista Respekt raportoi se vitin e kaluar hetuesit morën informacion të ri në lidhje me shpërthimin dhe komiteti i inteligjencës qeveritare e kishte diskutuar këtë çështje vetëm dy javë më parë. Zyrtarët e qeverisë çeke sinjalizuan se në prapavijë të skandalit është tenderi për ndërtimin e një termocentrali të ri në vlerë 6 miliardë eurosh që planifikon ta bëjë Çekia.

Pasi grupi shtetëror i energjisë CEZ anuloi një plan për të ndërtuar reaktorë të rinj më 2014, qeveria ka pranuar oferta nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Franca dhe vende e tjera. Mirëpo, si problematike është parë përfshirja e Rusisë.

Në nëntor të vitit të kaluar, një grup punues çek, i përbërë nga oficerë të inteligjencës dhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme, i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë ofertat e Rusisë dhe Kinës. Ata thanë se këto vende paraqesin një rrezik strategjik për vendin.

Më 18 prill, zëvendëskryeministri, Karel Havlichek, njoftoi se agjencia atomike shtetërore ruse, Rosatom, nuk do të lejohej të merrte pjesë në tender.

Dëbimi i diplomatëve rusë nga ana e Çekisë, pason dëbimin e diplomatëve të tjerë rusë nga Shtetet e Bashkuara. Dëbimi i tyre ishte pjesë e një sërë sanksionesh të reja amerikane që shënjestrojnë Rusinë edhe për t’i bërë presion që të tërheqë forcat në kufijtë lindorë të Ukrainës.

Megjithëse vendimi çek për të dëbuar rusët nuk duket të jetë i lidhur drejtpërdrejt me masën amerikane, Ambasada e SHBA-së në Pragë mirëpriti vendimin e Pragës duke thënë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me aleatin e saj të palëkundur, Republikën Çeke.

“Ne e vlerësojmë veprimin e tyre domethënës për t'i imponuar Rusisë kostot për veprimet e saj të rrezikshme në tokën çeke", thuhej në një postim në Twitter të Ambasadës amerikane.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG