Ndërlidhjet

Situata në veri e qetë, qasja në Banjskë ende e mbyllur


Policia e Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. 25 shtator 2023.
Policia e Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës. 25 shtator 2023.

Gjendja në veri të Kosovës është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës, pas sulmit vdekjeprurës të së dielës nga persona të armatosur dhe të maskuar.

Njësia Speciale e Kosovës e ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera në kryqëzimin Ballaban, i cili dërgon në Banjskë.

Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë. Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Një polic e tre sulmues të vrarë në veri të Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli të hënën ditë zie në tërë vendin.

Prokurori i Prokurorisë së Kosovës, Naim Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë se ka informacione të pakonfirmuara se në rrugën për këtë fshat dyshohet për disa mjete që janë të rrezikshme, që mund të jenë shpërthyese.

“Janë edhe disa automjete që janë rrugës që dërgojnë tek vendi ku ka ndodhur aksidenti,” tha Abazi.

Pikat kufitare Jarinjë edhe Bërnjak janë ende të mbyllura.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Abazi theksoi se është duke u punuar në identifikimin e personave të përfshirë të dielën në sulmin kundër Policisë se Kosovës dhe për këtë tashme kanë marrë DVR e kamerave.

Njëri nga sulmuesit, i cili u arrestua dje në veri, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica.

“Është operuar për kërciri e majtë, plagë e hapur me armë zjarri. Gjendja e tij është stabile. Po vazhdon të trajtohet në klinikë”, deklaroi Jashanica.

Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit të dielën vonë dhe raportohet se tani është duke e siguruar fshatin.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga Bashkimi Evropian.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Sulmi erdhi rreth dy javë pasi kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan në Bruksel për rundin e ri të bisedimeve të nivelit të lartë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 14 shtator, por nuk arritën asnjë pajtim për normalizimin e marrëdhënieve.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG