Ndërlidhjet

Evropa me rritjen më të madhe të importeve të armëve


Avionët F-16 të prodhimit amerikanë. Sipas raportit të SIPR-it, shtetet evropiane në vitet e ardhshme pritet të rrisin importet e tyre të avionëve të prodhimit amerikanë.
Avionët F-16 të prodhimit amerikanë. Sipas raportit të SIPR-it, shtetet evropiane në vitet e ardhshme pritet të rrisin importet e tyre të avionëve të prodhimit amerikanë.

Rajoni i Evropës ka shënuar rritjen më të madhe të importeve të armëve: për 19 për qind në periudhën 2017-2021, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë eksportuar më shumë armë sesa Rusia.

Në raportin e publikuar më 14 mars nga Instituti Ndërkombëtar i Paqes (SIPRI), me seli në Stokholm, thuhet se krahasuar me periudhën 2012-2016, kjo rritje e importeve të armëve në Evropë përbën 13 për qind të të gjitha transfereve globale të armëve.

Sipas raportit, importuesit kryesorë të armëve në Evropë janë: Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia dhe Holanda, ndërkaq shtetet e tjera evropiane po ashtu pritet të rrisin importin e armëve në dekadën e ardhshme, pasi veçse kanë marrëveshje për blerjen e tyre, veçmas të avionëve luftarakë nga Shtetet e Bashkuara.

SIPRI tha se pavarësisht luftës që po vazhdon në Ukrainë, importet e armëve të këtij shteti në periudhën 2017-2021 ishin mjaft të kufizuara.

“Përkeqësimi i raporteve midis shumicës së shteteve evropiane dhe Rusisë është një shtysë e rëndësishme e rritjes së importeve të armëve në Evropë, veçanërisht për shtetet që nuk mund t'i përmbushin kërkesat e tyre përmes prodhimit të armëve”, tha Pieter D. Wezeman, hulumtues i lartë në SIPRI.

Sipas tij, “transferimi i armëve, po ashtu, ka luajtur një rol të rëndësishëm në raportet transatlantike të sigurisë”.

Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia përmendet në raport si pranuese e dërgesave të armëve nga Bjellorusia. Bjellorusia, ndërkaq, radhitet në vendin e 20-të të shteteve që eksportojnë më së shumti armë.

Përveç Evropës, Azia dhe Oqeania vazhduan të jenë rajone me nivele të larta të importeve të armëve, duke përbërë 43 për qind të trasfere globale më 2017-2021. Në këtë rajon, gjashtë shtete janë në mesin e dhjetë shteteve që importojnë më së shumti armë: India, Australia, Kina, Koreja e Jugut, Pakistani dhe Japonia. Megjithatë, në përgjithësi transferet e armëve në këtë rajon kanë rënë për 4.7 për qind.

Lindja e Mesme me nivele të larta të importeve të armëve

Në raportin e SIPRI-t thuhet se importi i armëve vazhdon të jetë i lartë në mesin e shteteve të Lindjes së Mesme. Në këtë rajon, importet janë rritur për 2.8 për qind në periudhën 2017-2021 krahasuar me periudhën paraprake 2012-2016.

Në Lindje të Mesme, ku konflikti në Jemen po vazhdon dhe po ashtu tensionet mes Iranit dhe shteteve të tjera rajonale po vazhdojnë, “importet e armëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet e sigurisë në vendet e Gjirit”, thuhet në raport.

Arabia Saudite, që është importuesja e dytë më e madhe në botë, ka rritur importet për 27 për qind. Ndërkaq, Katari ka shënuar rritje prej 227 për qind të importeve të armëve, duke u bërë importuesi i gjashtë në botë i armëve.

Nga shtetet e këtij rajoni, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ulur importet e armëve për 41 për qind, teksa Kuvajti është shteti i Lindjes së Mesme që ka nënshkruar më së shumti kontrata për blerje të armëve, të cilat pritet t’i pranojë në vitet e ardhshme.

Sipas raportit, pesë shtetet që kanë importuar më së shumti armë në botë në prridhën 2017-2021 ishin: India, Arabia Saudite, Egjipti, Australia dhe Kina. Këto pesë shtete përbëjnë 38 për qind të të gjitha importeve në botë gjatë kësaj periudhe kohore.

Megjithatë, sipas raportit për armët, SIPRI tha se transferimi i madh i armëve ka rënë për 4.6 për qind në periudhën 2017-2021 krahasuar me atë 2012-2016.

“Rënia e vogël e trasfereve globale të armëve fsheh variacione të mëdha midis tendencave rajonale”, tha Wezerman nga SIPRI.

“Teksa ka pasur disa zhvillime pozitive, duke përfshirë importet e armëve nga Amerika e Jugut, që kanë arritur nivelet e tyre më të ulëta në 50 vjet, rritja apo vazhdimi i niveleve të larta të importeve të armëve në rajonet si Evropa, Azia Lindore, Oqeania dhe Lindja e Mesme kanë kontribuar në grumbullimin shqetësues të armëve”, shtoi ai.

Rriten eksportet e armëve të SHBA-së, bien ato të Rusisë

Sa i përket eksporteve të armëve, Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rritje prej 14 për qind të shitjes së armëve. Eksportet e armëve nga SHBA-ja më 2017-2021 ishin 108 për qind më të larta sesa eksportuesja e dytë më e madhe e armëve, Rusia.

“Lindja e Mesme është importuesja më e madhe e armëve të SHBA-së me 43 për qind. Veçanërisht e rëndësishme për rritjen e eksporteve amerikane ka qenë rritja e dërgesave të armëve tek Arabia Saudite, me një rritje prej 106 për qind”, thuhet në raport.

Ndërkaq, në periudhën 2017-2021 eksportet e armëve nga Rusia kanë rënë 26 për qind. Kjo rënie ka ndodhur për shkak se kanë dështuar të dërgohen armë në dy shtete: Indi dhe Vietnam.

“Megjithatë, dërgesa të mëdha të armëve nga Rusia në Indi pritet të bëhen në vitet në vijim”, thuhet në raport, teksa theksohet se eksportet e armëve ruse përbëjnë 19 për gjithë të të gjitha eksporteve botërore.

Franca ka rritur eksportin e armëve për 59 për qind, duke u bërë shteti i tretë më i madh që eksporton armë. Ndërkaq, Gjermania ka pësuar një rënie prej 19 për qind të eksporteve të armëve më 2017-2021, dhe Kina po ashtu ka pasur një rënie prej 31 për qind të eksporteve.

Pesë eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë janë: SHBA-ja, Rusia, Franca, Kina dhe Gjermania dhe këto shtete së bashku përbëjnë 77 për qind të eksporteve të armëve në botë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG