Ndërlidhjet

Sigurimi i mbijetesës nga mbledhja e shisheve të plastikës


Maqedoni: Njerëzit mbledhin shishe të plastikës pranë një termocentrali në Manastir. Foto nga arkivi.
Maqedoni: Njerëzit mbledhin shishe të plastikës pranë një termocentrali në Manastir. Foto nga arkivi.

"Për çdo ditë me t’u gëdhirë, dal për të mbledhur shishe plastike dhe gjësende të tjera që mund t’i shes. Mezi arrij të grumbulloj një thes me shishe plastike, që duhet të numëroj mbi 500 sosh, për të siguruar të paktën 300 denarë (5 euro). Nuk ka të ndalur. Nëse bie shi apo është dita me diell, unë dal për të punuar bashkë me nënën time çdo ditë sepse këto janë të ardhurat e vetme që kemi për të siguruar bukën e gojës”. Ky është rrëfimi i Kadri Rexhepit, një nga mbledhësit e shisheve të plastikës në qyetin e Shkupit.

Shteti nuk ka numër të sakt të personave që mbledhin shishe të plastikës, por organizatat joqeveritare thonë se në Maqedoni janë 3 deri në 5 mijë mbledhës të mbetjeve nga plastika, letra dhe materiale të tjera për riciklim. Kështu ata kontribuojnënë selektimin e 80 për qind të mbeturinave që arrijnë të riciklohen, duke kontribuar në këtë mënyrë shumë në ruajtjen e ambientit jetësor.

Në bazë të një hulumtimi organizatat joqeveritare kanë nxjerë në pah se industria për riciklim në Maqedoni kryekëput varet nga mbledhësit joformalë të materialeve për riciklim nga letra qelqi, hekuri, aparatet elektrike dhe më së shumti mbetje nga plastika.

Bllazhe Josifovski nga organizata joqeveritare “Ajde Makedonia” (Eja Maqedoni), i cili eshë dhe autor i analizës “Përfshirja e sektorit joformal në një sistem të qëndrueshëm pë menaxhimin e mbeturinave si mundësi për punësimin e personave nga grupet e margjinalizuara dhe kategoritë e ndjeshme sociale”, për Radion Evopa e Lirë thotë se pjesa më e madhe e këtyre personave, të cilët japin kontribut të madh për ruajtjen e ambientit jetësor, meqë përmes duarve të tyre kalon mbi 80 për qind e mbeturinave që arrijnë të eksportohen nga Maqedoni parë t’u ricikluar, nuk gëzojnë asnjë privilegj nga shteti, madje nuk gëzojnë as sigurim shëndetësor.

“Shteti si e para duhet të njoh me ligj veprimtarinë e tyre, ashtu sikurse në shumë vende ku ekologjia për selektimin e mbeturinave nuk është e zhvilluar. Me këtë do të ulet papunësia sepse bëhet fjalë për një numër të madh të personave që në fakt janë pjesë e ekonomisë informale, dhe e dyta me vet regjistrimin e këtyre personave, atyre do t’u caktohet regjioni ku do të veprojnë dhe në mënyrë të organizuar do të grumbullohej materiali që mund të riciklohet”, thotë Josifovski.

Sipas analizave të ambientalistëve, këta punonjës të paregjistruar, shtetit, përkatësish autoriteteve lokale u kursejnë rreth një milion euro brenda vitit sepse nuk japin asnjë qindarkë nga arka e tyre, ndërkohë që këta persona në masë të madhe kontribuojnë në pastrimin e hapësirave publike.

“Ekspozohemi dyfish në rrezik. E para, gryejmë çdo ditë në mbeturina që kundërmojnë erë të keqe verës dhe lëndojmë gjymtyrët teksa ndajmë plastikën nga herë edhe hekurishtet nga materiali organik, që s’mund ta shesim. Dhe e dyta, kemi frikë se na ndjekin nga policia se pse mbledhim shishe plastike në kosha të mbeturinave sepse sapo mbeturinat të hidhen në kosha, ati bëhen pronë e Higjienës Komunale dhe duket se ne i vjedhim mbeturinat dhe mund të dënohemi”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë, Sevërxhan Shabani, 17-vjeç, i cili bashkë me të vëllain mbledhin për çdo ditë shishe plastike.

Në Maqedoni, nuk ka fabrikë për riciklim, ndërkohë që ekzistojnë dhjetëra pika ku grumbullohet plastika, e cila blihet nga mbledhësit e shisheve, pastaj ajo paketohet për një çmim 10 fish më të lartë, eksponohet në vendet fqinje si Rumania, Bullgaia apo Kroacia.

“Letrat pasi selektohen, palosen dhe si e tilla eksportohet. Kurse mbetjet nga plastika grimcohen në thërrime dhe pasi paketohen në blloqe më të mëdha, eksportohen jashtë vendit, ku shiten për një çmim 10 fish më të lartë, duke u sjellë shumë përfitime kompanive që grumbullojnë mbetjet nga plastika”, thotë Bllazhe Josifovski.

Autoritet komunale edhe pse janë zotuar se do të bëjnë përpjekje që të nxitet bashkëpunimi institucional me këta persona që mbledhin shishe të plastikës, gjerë më tani nuk është ndërmarrë asgjë konkrete.

Organizatat joqeveritare, që në fokus kanë ruajtjen e ambientit jetësor, gjithashtu thonë se vetëdija e qytetarëve është shumë e ulët sa i përket klasifikimit që mbeturinave dhe hedhjes së tyre në shportat adekuate për riciklim. Andaj, sipas tyre, në këtë drejtim duhet të bëhet një fushatë më e madhe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG