Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut tha se është e sigurt dhe nuk është e rrezikuar nga sulmet kibernetike. Ky reagim vjen pasi më 6 shkurt, në Twitter u shpërnda një postim i një grupi hakerësh nga Rusia, të quajtur “Ushtria e Fuqishme Greke”, që pretendoi se kishte hyrë në sistemin kompjuterik të Qeverisë, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Ky grup pretendoi se e kishte nën mbikëqyrje të plotë sistemin kompjuterik të Ministrisë së Arsimit.
Por, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut (MASH) tha se nuk ka konstatuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje në sistemet elektronike dhe në bazat e të dhënave që posedon. Ky institucion tha se të dhënat personale të nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve mbeten të sigurta.
“Apelojmë te qytetarët që të mos bien pre e spekulimeve dhe të qëndrojnë të qetë sa i takon mbrojtjes së të dhënave personale të cilat i posedojmë për nxënësit, studentët, kuadrin arsimor dhe të ngjashme. Sistemi i MASH-it është i mbrojtur në mënyrë adekuate”, u tha në reagimin me shkrim të kësaj ministrie.
Kjo nuk është hera e parë që në Maqedoninë e Veriut raportohet për sulm të dyshuar kibernetik, pasi më 2020, sistemi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare u bllokua për disa orë, gjë që ngriti dyshime mbi mbarëvajtjen e këtij procesi dhe rezultatit zgjedhor.
Po ashtu, procesi i regjistrimit të popullsisë ishte cak i sulmeve kibernetike.
Ekspertët e inxhinierisë informative thonë se lajmet e rreme për sulmet kibernetike mund të nxjerrin në pah nivelin e ulët të sigurisë në sistemet kompjuterike të institucioneve.
Inxhinieri i teknologjisë informative, Bozhidar Spirovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se opinioni di shumë pak sa i përket nivelit të sigurisë kibernetike të institucioneve shtetërore.
“Shumë gjëra dalin në sipërfaqe pasi të ndodhë një incident. Kur nuk ka lajme për këtë çështje, atëherë lajmi është se gjërat po shkojnë mirë, por kur ka informacione për këtë çështje, atëherë bëhet fjalë për lajme të këqija”, thotë ai.
Spirovski thotë se problemet që mund të paraqiten në rrjetin e sistemit të ministrive, jo gjithmonë kanë të bëjnë me sulme nga hakerët. Por, ai thotë se ngrihen dilema pasi shumica e sulmeve të dyshuara kibernetike nuk marrin epilog nga ana e institucioneve përkatëse.
“Prioritet i institucioneve shtetërore duhet të jetë përmirësimi i infrastrukturës informative”, thotë Spirovski.
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov thotë se Maqedonia e Veriut, si shtet anëtar i NATO-s, duhet të mbajë llogari për nivelin e sigurisë informative të institucioneve.
Sipas tij, problematike është mungesa e zgjidhjeve ligjore për sigurinë e sistemeve të institucioneve, pasi siç thotë ai, sistemet e institucioneve me interes vital mirëmbahen nga firma të vogla, që nuk janë mjaftueshëm të afta për mbrojtjen e tyre.
“Rreth kësaj çështjeje shumë komplekse, institucionet duhet t’i shqyrtojnë të gjitha informacionet e rëndësishme që të rritet shkalla e mbrojtjes së këtyre informacioneve, pasi në situata të caktuara, qarqe të caktuara mund t’i keqpërdorin ato për interesat e tyre dhe në dëm të interesave të shtetit. Edhe rasti i fundit paraqet alarm që institucionet të shqyrtojnë lëshimet në sistemin e sigurisë informative”, thotë Trajanov.
Ndryshe, më 2021, grupi i hakerëve “anonymous.mk” morën përgjegjësinë për sulmin kibernetik ndaj ueb-faqes së Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Ueb-faqja e Ministrisë së Arsimit ishte sulmuar edhe gjatë publikimit të rezultateve për shpërndarjen e bursave për vitin akademik 2020-2021.
Facebook Forum