Rreth 60 për qind e ujit në lumin Danub rrjedh nëpër degën Kilia, e cila më pas ndahet nëpër rrugë të ndryshme derisa të akumulohet në Detin e Zi.
Derisa maunet dhe anijet me mallra rreshtohen për të hyrë në portet ukrainase të Renias dhe Izmailit, në anën rumune të degës Kilia, aktiviteti detar është gati zero. Aty tani ankorohen vetëm anijet në të cilat organizohen festa, anijet e peshkimit dhe anije të pasagjerëve.
Ky qosh i qetë i Rumanisë nuk është më aktiv për shkak të sulmeve të vazhdueshme me dronë kamizakë rusë, të cilët i kanë shënjestruar portet ukrainase matanë lumit, dhe ndonjëherë kanë depërtuar edhe në territorin rumun.
Një tjetër faktor, sipas banorëve, për këtë rënie të aktivitetit, është edhe zhurma e anijeve ukrainase, që besohet se e ka dëmtuar peshkimin.
Ndonëse zona e Danubit në Rumani është e vizituar nga turistët, pjesa më e madhe e turistëve tani drejtohen te zonat më piktoreske të tij.
Përgjatë degës 111-kilometërshe të Kilias, numri i mysafirëve është në dhjetëra. Shumica pushtojnë në Kilia Veke.
“Është vërtet destinacion për peshkun”, ka thënë Alexandru Ceaus Timur, kryetar i Kilia Vekes.
“Peshkatarët vijnë këtu, pavarësisht shiut e stuhive”.
Mirëpo peshkatarët janë të vogël në numër tani për shkak të sulmeve me dronë në portet ukrainase, afër lumit. Sipas kryetarit, shifrat e turizmit në Kilia Veke kanë rënë më 2023 për një të tretën, në krahasim me periudhat paraprake.
Rënia e numrit të turizmit është konfirmuar nga biznesi Talianu në Pardina. Në mesin e sezonit të peshkimit këtë verë, pronari i biznesit ka thënë se shumë rezervime për akomodime i janë anuluar, pas sulmeve të para në portin Izmail, vetëm 5 kilometra larg, në fillim të gushtit.
Pas skadimit të një marrëveshje në korrik, që e ka mundësuar bartjen e grurit ukrainas përmes Detit të Zi, Rusia është zotuar që secila anija që kalon nëpër portet ukrainase do të konsiderohet shënjestër ushtarake.
Që atëherë, miliona tonë me grurë dhe furnizime tjera janë nisur prej lumit Danub, nga pjesa ukrainase drejt porteve fqinje në Rumani, dhe prej aty në vendet tjera të botës.
Si rezultat i rritjes masive të trafikut nga dhe në portet ukrainase, peshkatarët rumunë kanë thënë se peshqve u është prishur rehatia.
“Prej kur portet e Danubit kanë nisur të jenë më të ngarkuara, nuk mund ta hedhësh një rrjetë në lumë, sepse anijet lëvizin vazhdimisht”, ka thënë Marius Tanase, peshkatar dhe bujk nga Plauru.
“Edhe nëse e gjuani rrjetën, situata nuk është më e njëjtë, sepse anijet lëvizin vazhdimisht dhe i frikësojnë peshqit”.
Megjithatë, çmimet janë të mira. Peshkatarët i fitojnë 5.40 dollarë për kilogramë të krapit, mustakut ose tabanit – diku rreth dyfishi i çmimit me të cilin është shitur peshku viteve të fundit.
Mirëpo fabrika e vetme për përpunim të peshqve në atë zonë është në Tulkea. Nëse Tanase dëshiron të shesë çfarë ka zënë, ai duhet t’i bëjë 100 kilometra rrugë me anije.
Para luftës, dhe para rritjes së lëvizjes së anijeve, Tanase ka thënë se zënia e 50 kilogramëve me peshq ka qenë diçka e zakonshme. Tani ai tregon se mezi arrin të kapë 20 kilogramë, ose më pak.
Infrastruktura në këtë zonë është e kufizuar. Tulkeia dhe Kilia janë të lidhura me një rrugë 70-kilometërshe, për të cilën duhen tri orë për ta kaluar.
Në ujë, lidhja e vetme mes dy qytezave është me një traget për pasagjerë që lëviz vetëm tri herë në javë dhe e bën udhëtimin prej Tulkeas në Kilia për katër orë e gjysmë.
Megjithatë, së fundi është marrë një iniciativë spirituale, e cila është duke pasur ndikim të vogël në ekonominë atje.
Buzë Çatalkiout është duke marrë formë një manastir. Gjithçka po kryhet me duart e tri murgeshave dhe disa murgjve të përfshirë direkt në prodhim.
Më 2010, kur aty kanë arritur manastirët për herë të parë, aty ka qenë vetëm një kishë. Më 2011, ata kanë nisur të ndërtojnë një ndërtesë 13-dhomëshe, që veçse është e jetueshme.
“Më ka shtyrë mendimi që në manastir mund të mbahen kongregacione. Tani për tani, njerëzit rrallë vijnë këtu, sepse ende nuk njihemi zyrtarisht, mirëpo ne definitivisht mendojmë që do të vijnë më shumë njerëz”, ka thënë Nënë Paisia, abace e manastirit.
Në tokën pranë manastirit është një kopsht i vogël zoologjik me strucë, fazanë, pallonj dhe dhjetëra koshere bletësh. Manastiri e siguron një pjesë të mirë të të ardhurave nga qirinjtë, mjalti dhe vezët e strucit.
Ioan Macra, mësues në shkollën e Çatalkioit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “popullsinë këtu e përbëjnë kryesisht pensionistët. Shumica e të rinjve e kanë lënë vendin, pjesa më e madhe janë shoferë kamionësh”.
Ai ka thënë se edhe nëse disa kthehen “ata nuk kanë shumë për të bërë përtej rritjes së kafshëve, mirëpo edhe aty do të përballeshin me vështirësi”.
Në Plauru, një prej aktiviteteve të reja është ndërtimi i strehave kundër bombave, pas rrëzimit të disa dronëve rusë në territorin rumun, pas sulmeve të Moskës në portet ukrainase.
Bukureshti ka thënë se do të dërgojë trupa ushtarake shtesë në këtë rajon dhe banorët do të njoftohen kur të strehohen, nëse do të ketë sulme të ngjashme në të ardhmen.