Ndërlidhjet

IS-i merr përgjegjësinë për sulmin në kishën në Stamboll


Policia turke duke qëndruar pranë kishës ku ndodhi sulmi më 28 janar në Stamboll.
Policia turke duke qëndruar pranë kishës ku ndodhi sulmi më 28 janar në Stamboll.

Grupi militant, Shteti Islamik (IS) ka marrë përgjegjësinë për sulmin në një kishë katolike romake në Stamboll, ku u vra një person.

Sulmi ndodhi të dielën, më 28 janar, gjatë një shërbese.

Grupi ekstremist tha përmes një deklarate se ka kryer “sulm në një tubim të pafeve të krishterë gjatë një ceremonie të tyre politeiste” në Kishën e Shën Marisë në lagjen Bujukdere të Stambollit.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha në orët e vona të së dielës se dy persona, që ai tha se ishin anëtarë të IS-it, janë arrestuar lidhur me sulmin. Sipas tij, njëri është nga Taxhikistani dhe tjetri nga Rusia.

Deklarata përmes së cilës IS-i mori përgjegjësinë për sulmin u publikua në Aamaq, krahun mediatik të IS-it, së bashku me fotografitë e dy persona të maskuar e të armatosur, të cilët, sipas grupit militant, kryen sulmin.

IS-i tha se në sulm u vra një person dhe u plagos një tjetër, por autoritetet turke kanë deklaruar se një person është vrarë, por nuk ka të plagosur të tjerë.

Yerlikaya tha se policia ka bastisur 30 lokacione dhe ka arrestuar 47 persona, si pjesë e hetimit për këtë sulm.

“Asnjëherë nuk do të tolerojmë ata që tentojnë të pengojnë paqen në shtetin tonë”, tha ministri turk.

Më 3 janar, 25 anëtarë të dyshuar të IS-it u arrestuan në mbarë Turqinë, nën dyshimet se kishin planifikuar sulme ndaj kishave dhe sinagoga, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

IS-i në të kaluarën nuk kishte kryer sulme ndaj faltoreve në Turqi, por ka kryer një sërë sulmesh vdekjeprurëse në mbarë vendin, përfshirë edhe një sulm në një klub nate më 2017 në Stamboll, kur u vranë 39 persona. IS-i po ashtu ka kryer një sulm me bombë më 2015 në Ankara, duke vrarë 109 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG