Zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, shkëmbyen mesazhe në lidhje me sulmet ajrore ushtarake në Jemen, në një aplikacion të sigurt për dërgimin e mesazheve, në të cilin ishte përfshirë edhe kryeredaktori i The Atlantic, raportoi kjo magazinë të hënën.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë tha se mesazhet e shkëmbyera “duket të jenë autentike”.
Trump u tha gazetarëve fillimisht se nuk ishte në dijeni se informata tejet të ndjeshme ishin shpërndarë.
Biseda mes zyrtarëve të lartë në këtë grup “përmbante hollësi operacionale për sulmet e ardhshme ajrore kundër grupit të mbështetur nga Irani, Huthi, në Jemen, përfshirë të dhëna për objektivat, për armët që do të dislokonte SHBA-ja dhe për komandën e sulmeve”, tha kryeredaktori Jeffrey Goldberg.
Nuk është ende e qartë nëse hollësitë e operacionit ushtarak ishin të klasifikuara, por ato shpesh janë të tilla dhe të paktën ruhen të fshehura për t’i mbrojtur shërbyesit ushtarakë dhe sigurinë operacionale.
SHBA-ja ka kryer sulme ajrore kundër rebelëve Huthi prej kur grupi militant filloi t’i sulmoi anijet tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq në nëntor 2023.
Pak orë pasi Goldberg i pranoi hollësitë e sulmit më 15 mars, SHBA-ja filloi bombardimet ndaj objektivave të rebelëve Huthi në Jemen.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare po e heton rastin
Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha në një komunikatë se është duke e hetuar se si ndodhi që numri i një gazetari u shtua në grupin e bisedave në aplikacionin Signal. Përveç sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, pjesë e grupit ishin edhe nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Tulsi Gabbard, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare.
Goldberg tha se ftesën në Signal e mori nga Mike Waltz, këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, i cili ishte pjesë e grupit gjithashtu.
Duke folur për herë të parë për këtë çështje, Hegseth e sulmoi Goldbergun duke e quajtur “mashtrues” dhe “të ashtuquajtur gazetar”, duke iu referuar raportimit kritik të kësaj reviste për Trumpin në të kaluarën.
Ai nuk dha asnjë sqarim se pse ishte përdorur aplikacioni Signal për të biseduar për operacionin e ndjeshëm, apo se si përfundoi Goldberg në grupin e mesazheve.
“Askush nuk po dërgonte mesazhe për planet për luftë, dhe kaq kam për të thënë për këtë çështje”, tha Hegseth për gazetarë të hënën.
Në një komunikatë të hënën në mbrëmje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se presidenti ende ka “besim të plotë” në Waltzin dhe ekipin e sigurisë kombëtare.
Më herët të hënën, Trump u tha gazetarëve: “Nuk di asgjë për këtë. Po ma thoni për herë të parë”. Ai shtoi se The Atlantic “nuk është ndonjë revistë e madhe”.
Zyrtarët qeveritarë e kanë përdorur Signal për komunikime organizative, por ai nuk është mjet i klasifikuar dhe mund të hakohet.
Ekspertët e privatësisë dhe teknologjisë thonë se aplikacioni i njohur për dërgimin e mesazheve dhe për thirrje është më i sigurt se aplikacionet e tjera tradicionale.