Ndërlidhjet

Shqiptarët e Luginës protestojnë, Serbia mohon se ata diskriminohen


Protestues marrin pjesën në një protestë të shqiptarëve në jug të Serbisë, të cilët e akuzojnë Qeverinë serbe për diskriminim, 12 gusht 2024.
Protestues marrin pjesën në një protestë të shqiptarëve në jug të Serbisë, të cilët e akuzojnë Qeverinë serbe për diskriminim, 12 gusht 2024.

Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë protestuar të hënën për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre. Por, Qeveria serbe hodhi poshtë këto akuza.

Ata protestuan në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.

Protesta u thirr të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.

Protestues të mbledhur në sheshin e Bujancit, në jug të Serbisë, për të demonstruar kundër, siç thonë ata, diskriminimit që Qeveria serbe po ua bën shqiptarëve, 12 gusht 2024.
Protestues të mbledhur në sheshin e Bujancit, në jug të Serbisë, për të demonstruar kundër, siç thonë ata, diskriminimit që Qeveria serbe po ua bën shqiptarëve, 12 gusht 2024.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

“Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin (e adresave)”, tha Kamberi.

Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.

“Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7-pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore", tha Kamberi.

Marrëveshja e Konçulit u arrit në vitin 2001 për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.

Në korrik 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatë pikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

Kamberi e la të hapur mundësinë për protesta të tjera pas kësaj.

Qeveria serbe e sheh si "përpjekje për destabilizim të rajonit" protestën në Luginë

Pas protestës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka reaguar Qeveria e Serbisë, e cila tha se tubimi i sotëm ishte përpjekje e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti “për të destabilizuar rajonin”.

“Arsyeja e vërtetë e tubimit të sotëm nuk është rrezikimi i të drejtave të shqiptarëve, por kalimi në opozitë i Shaip Kamberit, Nagip Arifit dhe Shqiprim Musliut në komunën e Bujanocit. Kur ishin në pushtet, nuk treguan interes për zgjidhjen e problemeve lokale të bashkëqytetarëve të tyre”, u tha në reagimin e Qeverisë serbe.

Qeveria e Serbisë i reagoi edhe deputetit Kamberi, duke thënë se akuzat e tij për diskriminimin e shqiptarëve dhe për përfaqësim të pamjaftueshëm në institucione nuk qëndrojnë, pasi “shembull në vitin 2023, në Qendrën Shëndetësore në Bujanoc, nga 45 punonjës të rinj të punësuar, 25 ishin shqiptarë, ndërsa dy mjeke nga Bujanoci u punësuan në Qendrën Shëndetësore të Vranjës vitin e kaluar”.

Sa i përket arsimit, Qeveria në Beograd tha se janë siguruar të gjitha tekstet shkollore në gjuhën shqipe për arsimin fillor dhe tani pritet që Këshilli Kombëtar i Shqiptar t’i miratojë që të nisë edhe procedura e shtypjes së teksteve shkollore për arsimin e mesëm.

Ndërkaq, duke folur për Planin 7-pikësh, Qeveria serbe tha se ajo u ndërpre nga deputeti i atëhershëm shqiptar në Kuvendin serb, Riza Halimi, në nëntor të vitit 2013.

“Pavarësisht thirrjeve të pasuksesshme të shumta të Qeverisë së Serbisë për vazhdimin e dialogut përmes Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shqiptarët nuk kanë reaguar, por në ndërkohë është ndërtuar një maternitet jashtëspitalor në Preshevë dhe ndërtesa e Departamentit të Fakultetit Ekonomik nga Subotica në Bujanoc në vitin 2015, të cilat ishin kërkesat e tyre nga Plani 7-pikësh”, u tha në reagim.

Në sheshin ku u mbajt protesta, të hënën, u pa një numër i madh i policëve me uniforma dhe veshje civile. Nuk u raportua për ndonjë incident gjatë protestës.

Për protestën në Luginë të Preshevës, ka pasur reagime më herët gjatë ditës edhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se shqiptarët në Luginë të Preshevës po përballen me diskriminim sistematik, duke shtuar se kërkesat e tyre të paraqitura në protestë "janë plotësisht legjitime dhe të drejta".

"Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t'i dhënë fund diskriminimit të padrejtë", shkroi ai në Facebook.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

Enis Fejzullahu, student nga Bujanoci që studion në Kosovë, foli për vështirësitë me të cilat të rinjtë e Luginës së Preshevës përballen për shkak të mosnjohjes së diplomave të tyre.

“Studentin e Luginës së Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve dhe pas diplomimit, e ndjek barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çfarë pas përfundimit të studimeve dhe frika që nuk do të mundë të ushtrojë profesionin e tij në vendin e tij. Studenti shqiptar i Luginës së Preshevës nuk është student i zakonshëm. Për mua dhe për ne, student i Luginës që studion në Kosovë është një hero. Diplomat mund edhe mos të na i njohin, por vullnetin dhe dashurinë për këtë vend, ata kurrë nuk mund të na shuajnë. Dijen nuk mund të na e marrin. E ardhmja jonë është këtu”, tha Fejzullahu.

Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës së Preshevës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Qeveria serbe e ka mohuar këtë.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG