Ndërlidhjet

Shqiptarët e Luginës protestojnë kundër pasivizimit të adresave


Pamje nga protesta e 3 nëntorit në Medvegjë.
Pamje nga protesta e 3 nëntorit në Medvegjë.

Me thirrjet, “Kthema adresën”, shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë protestuar të dielën për herë të tretë brenda pak muajve, kundër atyre që i quajnë veprime diskriminuese të autoriteteve serbe ndaj pakicës shqiptare në Serbi.

Të dielën, protestuesit janë mbledhur para stacionit policor në Medvegjë.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Në protestën e së dielës ka marrë deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, më pas kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani dhe pjesëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, organit përfaqësues të pakicës shqiptare në Serbi.

Kur është pyetur për t'i komentuar protestat paraprake, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se "askush nuk po i rrah, nuk po i ngacmon, apo diçka tjetër. Serbia është shtet demokratik dhe ne do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë”.

Kërkesat kryesore

Në protestat e mbajtura, fillimisht në Bujanoc, e më pas në Preshevë, u bë thirrje për njohje të diplomave të Kosovës, për integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, për lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.


Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.

raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.

Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave atje kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë.

Ata kanë akuzuar përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në Beograd për mosreagim ndaj trajtimit që u bëhet.

Mungesa e investimeve dhe barrierat e vazhdueshme besohet se kanë ndikuar në largimin e rreth 20.000 shqiptarëve prej këtij rajoni, kryesisht drejt shtetit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG