Barrierat ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë vazhdojnë të mbeten probleme që pengojnë thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy vendeve.
Autoritetet në Shqipëri së fundi kanë bllokuar 30 tonë miell gruri të ardhur nga Kosova. Bllokimi thuhet se është bërë në kuadër të masave të përforcuara për sigurinë e cilësinë ushqimore, të produkteve që importohen.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, nuk janë prononcuar rreth kësaj çështje.
Por, që sipas përfaqësues të Shoqatës së Mullisëve kjo ndalesë nuk ka të bëjë me cilësinë e miellit, por për shkak të konkurrencës.
Muhamet Ferizi, kryetar i kësaj Shoqate thotë për Radion Evropa e Lirë se mielli i Kosovës është cilësorë dhe plotëson standardet.
“Pas luftës në Kosovë është hapur tregu i Shqipërisë për produktin e miellit dhe ata e panë rrezikun nga konkurrenca, për atë edhe bëjnë ndalesa të tilla. Edhe pse ekziston marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA, Shqipëria ka miratuar edhe një vendim tjetër për produktin e miellit, e që ai vendim nuk ka të bëjë as me standardet tona, e as të Shqipërisë, e as të Bashkimit Evropian. Niveli i proteinës që rezultoi të ishte në miell mbi 11 për qind, ne themi se i plotëson standardet, por Shqipëria thirret në vendimet e tyre vetëm që të mos të kenë konkurrencë. Ne kemi biseduar, por bisedat nuk kanë dhënë efekt”, thotë Ferizi.
Barrierat që Shqipëria ka vendosur për produktin e miellit, thotë Ferizi, janë të vazhdueshme dhe se vështirë se mund të bëhet një zgjidhje.
“Këtë pengesë që kemi do ta kemi përsëri pasi që bisedat e përfaqësuesve të Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë korrekte. Kosova duhet të veprojë me masa të ngjashme dhe të ndalojë produktet e Shqipërisë në tregun e Kosovës”, thotë Ferizi.
Në anën tjetër, Flamur Keqa, ish-drejtor i Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tha për Radion Evropa e Lirë se në tregtinë ndërkombëtare duhet të respektohen rregullat dhe cilësia për të cilat dakordohen pjesëmarrësit në atë marrëdhënie tregtare.
Sipas tij, nëse cilësia nuk ka qenë në nivelin e duhur bëhet edhe refuzimi, por nëse bëhet për qëllime të tjera, atëherë është shkelje tregtare.
“Në marrëdhëniet tregtare duhet të ketë korrektësi dhe duhet të përmbushen obligimet që dalin nga marrëveshja tregtare. Por, nëse Shoqata e Mullisëve ka deklaruar se mielli që e ka pasur për dedikim tregun e Shqipërisë ka qenë i cilësisë së duhur dhe shteti shqiptar e ka refuzuar dhe ka krijuar pengesë në tregtimin e këtij malli, atëherë kjo është e papranueshme”, thotë Keqa.
Ai thotë se edhe përkundër marrëveshjeve dhe takimeve të shpeshta të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, barriera tregtare ka shumë mes dy vendeve.
Kosova dhe Shqipëria, shton ai, do të duhej të intensifikonin raportet tregtare.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një treg të përbashkët, një treg të lirë dhe edhe pengesat më të vogla që dalin gjatë tregtimit, ato duhet të eliminohen dhe të dy shtet të zhvillohen në aspektin tregtar dhe ekonomik”, thotë Keqa.
Shqipëria, jo rrallë herë ka vendosur barriera tregtare prodhimeve kosovare, duke dëmtuar kështu ekonominë e Kosovës.
Ndërkohë, për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore.
Përveç kësaj, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë nënshkruar disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik.
Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë së fundi po planifikojnë të liberalizojnë lëvizjen e mallrave dhe unifikimin e doganave. Për këtë çështje, të dy qeveritë janë duke harmonizuar dokumentacionet e nevojshme për mallrat që qarkullojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas procedurave të reja që janë në përgatitje e sipër, planifikohet që të mos kërkohen dokumente të panevojshme, por të njihen në mënyrë reciproke dokumentet e të dyja shteteve.