Ndërlidhjet

Shqipëria u kërkon shtetasve shqiptarë të largohen nga Ukraina


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen nga Ukraina sa më parë.

Në njoftimin e bërë të shtunën (12 shkurt), Ministria ka këshilluar po ashtu të mos udhëtohet drejt Ukrainës ku ekziston rreziku për luftë. Ndërkohë, nuk janë dhënë detaje se sa është numri i shtetasve shqiptarë në Ukrainë.

Deri më tani vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermani, Estonia, Suedia, Norvegjia e Holanda, u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve të vet që përkohësisht të lëshojnë Ukrainën po ashtu.

Autoritetet e Kosovës deri më tani nuk kanë bërë ndonjë thirrje të tillë.

Më herët, të shtunën, u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara do të evakuojnë Ambasadën e tyre në Kiev pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane paralajmërojnë se një pushtim rus i Ukrainës është gjithnjë e më i afërt.

Masa e re vjen pasi Uashingtoni ka përshkallëzuar paralajmërimet për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, duke thënë se mund të ndodhë në çdo moment.

Një operacion i madh ushtarak kundër Ukrainës mund të fillojë "çdo ditë tani", madje edhe para përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore, tha më 11 shkurt këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që të largohen menjëherë nga Ukraina.

"Nëse qëndroni, po rrezikoni", tha ai.

Rusia ka mohuar se grumbullimi prej më shumë se 100,000 ushtarësh dhe pajisjeve ushtarake në zonat afër kufirit me Ukrainën është paralajmërim për një pushtim të mundshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG