Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini gjatë vizitës së saj në Tiranë tha se një vit pas rekomandimit pozitiv që Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim në BE, vendi është më i konsoliduar në këtë drejtim.
“Një vit më pas ju keni arritur që të konsolidoni këtë ecuri dhe keni vazhduar të tregoni rezultate konkrete të angazhimit tuaj për reformat”, tha Mogherini.
Ajo tha se hapja e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor është e mundshme, por jo e lehtë.
“Unë besoj që ky është një objektiv i arritshëm, pra çelja e negociatave në qershor, por nuk është i lehtë, nuk duhet të merret si i mirëqenë pasi secili prej shteteve tona anëtare duhet që të bindet plotësisht - opinioni publik në ato vende duhet të jetë mbështetës”, u shpreh shefja evropiane për Politikë të Jashtme.
Ajo përgëzoi Shqipërinë për reformën e drejtësisë dhe për procesin e vetingut, uljen drastike të kultivimit të kanabisit dhe operacionet për shpërberjen e grupeve kriminale.
Mogherini këto deklarata i bëri gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri Rama tha se Shqipëria duhet ta bëjë pjesën e vetë të punës dhe të kryejë detyrat deri në fund, mirëpo vendimi i takon Komisionit Evropian.
“Ne kemi për detyrë që të bëjm tonën deri në fund, dhe se sa e bëjmë apo nuk e bëjmë, këtë e vlerëson Komisoni Evropian”, tha kryeministri i Shqipërisë, duke shtuar se bëhet fjalë për një vendimmarrje të brendshme të lidershipit të vendeve anëtare.
Rama megjitatë tha se Shqipëria meriton pa kushte hapjen e negociatave.
Mogherini është në vizitë në Shqipëri e ftuar nga presidenti Ilir Meta të marrë pjesë në punimet e samitit të “Brdo-Brion”, ku mblidhen në Tiranë të gjithë presidentët e Ballkanit, për të diskutuar për projektet e përbashkëta dhe ndihma që duan nga Bashkimi Europian.
Ndryshe nga herët e tjera, në këtë ardhje të saj në Tiranë, Mogherini nuk ka të parashikuar takime me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha apo me përfaqësues të tjerë të opozitës.
Vizita e saj vjen pak javë para se Komisioni Evropian të publikojë rekomandimin për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë, më 29 maj, dhe një muaj para se në Shqipëri të zhvillohen zgjedhjet lokale.