Në Shqipëri ka ndërruar jetë një tjetër pacient, duke e çuar në 11 numrin e viktimave nga koronavirus në vend.
Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, gjatë komunikimit të përditshëm, informoi mbi situatën e krijuar nga COVID-19 në Shqipëri.
“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 79-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. 79-vjeçari me inicialet B.H. ishte prej 18 ditësh i shtruar në spitalin infektiv. I moshuari ishte përmirësuar ditët e fundit, por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak. 79-vjeçari është viktima e 11 e prekur nga COVID-19 në Shqipëri”, tha Fico.
Në 24 orët e fundit janë testuar 90 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 11 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 1,526 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 223 raste.
Në shërbimin infektiv aktualisht janë 74 të shtruar. Prej tyre 7 janë në terapi intensive nga të cilët 4 janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar.
“Kemi 4 të shëruar në 24 orët e fundit dhe deri tani kemi 44 të shëruar pas testeve të kontrollit të kryera kanë rezultuar negative”, tha Fico.
Ajo shtoi se harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Fier, Shkodër, Tropojë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluara për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.
“Epidemiologët në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor nga veriu në jug, janë në terren dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të identifikuar në kohë kontaktet, pas verifikimit të rasteve të dyshuara”, u shpreh Fico.
Kryeministri i Shipërisë, Edi Rama bëri thirrje që qytetarët të rrezistojnë në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë.
Në anën tjetër, Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
“Në të gjithë vendin, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 157 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Nga ditë e hënë e në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.
Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në faqe online e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.