Në Shqipëri kanë arritur edhe dy grupe me 154 qytetarë nga Afganistani të cilët do të strehohen përkohësisht.
Grupi i dytë prej 95 qytetarësh afganë ka arritur në Shqipëri para mesnatës të së shtunës me një fluturim të drejtpërdrejtë nga aeroporti i Kabulit. Midis tyre janë edhe dy foshnje, raporton Zëri i Amerikës.
Ashtu si edhe grupi i parë që arriti të premten, me 121 persona, edhe ky grup i dytë përbëhet nga veprimtarë të shoqërisë civile, pjesë e fondacioneve humanitare, që kanë punuar këto vite në Afganistan.
Edhe ky grup i dytë u prit në aeroport nga ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.
Ky është fluturimi i dytë drejt Shqipërisë, që sjell shtetas afganë për t’u strehuar përkohësisht si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna e talebinëve në Afganistan.
Sipas ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, e cila po koordinon përpjekjet e Shqipërisë në ndihmën për afganët e shpërngulur, “derisa të lirohen strukturat hoteliere nga piku i sezonit turistik, grupet e tjera të afganëve, që do të vijnë në vazhdim, do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti”.
Pak kohë pas avionit të dytë mbërriti edhe një grup i tretë me 59 qytetarë afganë me një avion, që erdhi nga Doha.
Ata i priti në aeroport kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.
Grupi i parë i qytetarëve afganë nga Kabuli mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Janë 121 persona, kryesisht aktivistë të shoqërisë civile, mes tyre një pjesë fëmijë si dhe 11 foshnja.
Ata tashmë janë strehuar përkohësisht në hotele të sigurt pranë Durrësit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i vizitoi qytetarët afganë, duke i garantuar për kushte normale jetese dhe sigurie, si dhe u shpërndau lodra fëmijëve.
Shqipëria u angazhua ndër të parat vende se do t’i bashkohej menjëherë përpjekjeve për të ndihmuar dhe strehuar përkohësisht shtetas afganë, të cilëve u rrezikohej jeta nga dhuna e talibanëve në atdheun e tyre.
Autoritetet pohuan në fillim se mund të merrnin disa qindra persona, por më pas shprehën gatishmërinë për deri në 4 mijë afganë të shpërngulur.