Ndërlidhjet

Rama: Shqipëria “zonë zjarri”, shkon në 304 numri i të prekurve me COVID-19


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në Shqipëri janë konfirmuar 27 raste të reja të prekur me COVID-19, duke e çuar numrin në 304. Ndërkaq, numri i viktimave ka arritur në 16.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se vendi ka hyrë në “zonën e zjarrit dhe armiku po synon të marrë më shumë jetë”.

Ai përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos mendojnë se po i vjen fundi situatës së krijuar nga koronavirusi.

“Sot ju lutem me të gjithë forcën ta vendosni si kryefjalë të çdo dite në vijim moton jetike të luftës sonë: ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më”, shkruan Rama.

Një punonjës mjekësor kontrollon një pasagjere shqiptare që ka arritur në Shqipëri përmes Aeroportit të Tiranës.
Një punonjës mjekësor kontrollon një pasagjere shqiptare që ka arritur në Shqipëri përmes Aeroportit të Tiranës.

Në anën tjetër, zëvendësministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Mira Rakacolli ka njoftuar se nga shpërthimi i pandemisë në vend janë testuar 2,031 raste të dyshuara.

“Prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 304 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç”, tha Rakacolli.

Ajo shtoi se gjatë 24 orëve të fundit janë 13 pacientë të shëruar, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 89.

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. Shtatë prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa dy nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, shtoi Rakacolli.

Ajo bëri me dije se gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, tri paciente nga spitali Infektiv.

“Aktualisht në spitalin COVID 2 ‘Shefqet Ndroqi’, i cili do të ndjekë rastet e rënda me probleme me frymëmarrje, janë katër pacientë të shtruar, dy prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar)”, tha ajo.

Në dy spitalet, që janë për të sëmurët me COVID-19 aktualisht po marrin shërbim 81 pacientë.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.


Harta e të prekurve nga virusi vdekjeprurës është zgjeruar në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër.

“Nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren”, tha zëvendësministrja.

Ajo tha se rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mosrespektimin e distancës fizike dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike.

“Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social”, tha Rakacolli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG