Ndërlidhjet

Opozita proteston dhe dorëzon zyrtarisht mandatet


Lideri i PD-së, Lulzim Basha
Lideri i PD-së, Lulzim Basha

Mijëra qytetarë të Shqipërisë protestuan të enjten kundër Qeverisë duke kërkuar largimin e kryeministrit, Edi Rama. Kjo protestë u organizua nga opozita shqiptare, e cila një ditë më parë ka djegur mandatet e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Protestuesit u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit, kryetari i së cilit, Gramos Ruçi të mërkurën ka anuluar seancën plenare të planifikuar të mbahej ditën e protestës, pas dyshimeve për akte të mundshme dhune.

Një ditë më parë, Policia e Shtetit përmes një deklarate për media tha se ka të dhëna “për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale”. Policia tha se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme “t'i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune”.

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha e vlerësoi si anti-kushtetues mbylljen e Kuvendit dhe shtoi se vendit duhet t’i hapet rruga për zgjedhje të reja.

“Parlamenti në mënyrë joligjore dhe jokushtetuese ka mbyllur sot dyert se nuk është më Parlament dhe Qeveria për sot është larguar. Ne përmes bashkimit qytetar, do të bëjmë të mundur që këto dy ngjarje të rëndësishme sot - mbyllja e Parlamentit dhe rrethimi me tela e gjemba ushtarakë dhe largimi i Edi Ramës të mos jenë ngjarje e një dite, por të kthehen shumë shpejt në zgjidhjen politike dhe t’i japin rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe t’i hapin rrugë një Parlamenti nga populli, për popullin dhe të popullit”, tha Basha.

Që në orët e para të mëngjesit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri përmes një deklarate u kanë bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme “që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën, si dhe iu bëjmë thirrje Qeverisë dhe forcave të sigurisë që të tregohen të përmbajtur”.

Nga Brukseli, përmes një komunikate të përbashkët përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn kanë thënë se dënojnë “çdo retorikë nga udhëheqësit politik që bën thirrje për dhunë”.

"Vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të avancohen, e jo të bojkotohet. Këto vendime dhe akte janë joproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minon progresin që vendi ka bërë drejt rrugës për në Bashkimin Evropian”, theksojnë Hahn dhe Mogherini.

Protestuesit iu bashkuan opozitës në drejtim të ndërtesës së Kryesisë e Kuvendit, me kërkesën e Bashës për t’i shoqëruar deputetët në dorëzimin zyrtar të mandateve në Parlament. Krerët dhe deputetët opozitarë thanë se tashmë janë qytetarë të thjeshtë dhe paralajmëruan protesta të mëtejshme.

Dorëzimi i mandateve të deputetëve nga partitë e opozitës së bashkuar në Shqipëri i hap rrugën hapjes së listave të pritjes së deputetëve apo partive të tjera, të cilat nuk e kanë kaluar pragun zgjedhor, për t’u futur në Parlamentin e vendit.

Ky veprim është kritikuar vazhdimisht nga kori diplomatik ndërkombëtar me seli në Tiranë, të cilët thonë se një veprim i tillë dëmton konsolidimin e demokracisë së vendit.

Partia Socialiste në Shqipëri, e drejtuar nga Edi Rama, udhëheq vendin me shumicë, pa koalicion dhe ka 78 ulëse në Parlament.

Opozita e Shqipërisë kërkon që Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama të largohet dhe te krijohet një Qeveri tranzitore deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG