Ndërlidhjet

Aksion masiv policor në Shqipëri, goditen katër grupe kriminale


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Policia e Shqipërisë ka ndërmarrë një aksion masiv në mbrëmjen e së dielës dhe deri në orët e para të së hënës, duke arrestuar 27 persona dhe ka lëshuar 44 urdhër-arreste, si aksion kundër trafikimit të drogës, armëve, krimit të organizuar dhe korrupsion aktiv.

Janë shpallur në kërkim 6 persona: dy shtetas turq, një shtetas nga Kosova dhe tre nga Shqipëria.

Operacioni i policisë ka qenë i shtrirë në 12 qytete të Shqipërisë, nga Hasi deri në Sarandë, duke goditur katër grupe kriminale.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu gjatë një konference për media tha se goditja e kësaj veprimtarie kriminale është bërë në periudha të ndryshme, duke u finalizuar këtë fundjavë. Ai tha se në “goditjen finale morën pjesë rreth 1.500 forca policore operacionale, FNSH, RENEA dhe efektivë nga policia lokale”.

“Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligj-zbatuese kanë finalizuar aksionin e orëve të fundit të koduar ‘Volvo 4’ të shtrirë në 12 qytete, nga Hasi deri në Sarandë ku janë goditur anëtarë të katër grupeve të skeduara kriminale, në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’”, tha Veliu.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij operacioni u bastis edhe një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, “ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës”.

Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda të Shqipërisë Donika Prela, tha se ky aksion është ndërmarrë pas hetimeve dyvjeçare të personave që janë dyshuar se bëjnë pjesë në krim të organizuar.

“Ka pasur dyshime të arsyeshme se persona të paidentifikuar në bashkëpunim me njëri – tjetrin trafikonin lëndë narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë si dhe në vende tjera të Bashkimit Evropian. Mbi këtë bazë janë zhvilluar me metoda speciale të hetimit, si përgjime telefonike, ambientale etj, të realizuara përgjatë një periudhe kohore për dy vjet”, ka thënë Prela.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, ky i fundit edhe ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve të Shqipërisë. Po ashtu, u arrestuan edhe tre oficerë policie.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se Shqipëria “do të bëhet vend i pajetueshëm për kriminelët”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka mirëpritur aksionin e Policisë së Shtetit. Ai, përmes një postimi në Twitter ka thënë se “ne mirëpresim operacionin e gjerë anti-drogë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut me drogë në Shqipëri është prioriteti më i lartë për BE-në. Në vazhdim presim që kjo të rezultojë me përndjekje dhe dënime për të krijuar një historik solid”.

Ky aksion vjen disa ditë pasi Qeveria e Shqipërisë nisi draftimin e një paketë ndryshimesh në Kodin Penal për “të fortët”.

Shqipëria shpreson të nisë negociatat vitin e ardhshëm për t'u integruar në Bashkimin Evropian dhe lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ndaj trafikut të drogës janë fushatkryesore që vendi duhet të punojë para se të fillojnë këto bisedime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG