Ndërlidhjet

Misteri i Rrjedhës Veriore: Çfarë dimë për shpërthimet në tubacionet nën Baltik?


Rrjedhjet e gazit pas shpërthimeve në tubacionet nënujore të Rrjedhës Veriore 2 në Bornholm, Danimarkë. 27 shtator 2023.
Rrjedhjet e gazit pas shpërthimeve në tubacionet nënujore të Rrjedhës Veriore 2 në Bornholm, Danimarkë. 27 shtator 2023.

Në pjesën e parë të shtatorit të vitit 2022, një cisternë e regjistruar në Greqi, lundroi në drejtim të lindjes nga porti holandez në Roterdam, në Detin e Zi, përmes një kanali me shumë trafik ku qarkullonin dhjetëra anije çdo javë drejt porteve kryesore gjermane, ruse dhe shteteve të tjera baltike.

Të dhënat nga gjurmimi i trafikut detar treguan se cisterna u ndal në lindje të një ishulli danez, lundroi për gati një javë në të njëjtin lokacion dhe më pas vazhdoi udhëtimin në lindje.

Rreth dy javë më vonë, një sërë shpërthimesh nënujore ndodhën në pothuajse të njëjtin lokacion, duke shkatërruar pjesë të gazsjellësve Rrjedha Veriore 1 dhe 2, që janë tubacionet kryesore për dërgesat e gazit natyror rus në Gjermani dhe më tej në Evropë.

Zbulimet rreth kësaj cisterne dhe itinerarit të saj u bënë fillimisht nga një gazetë finlandeze dhe më pas javën e kaluar edhe në një raport investigativ nga transmetuesi publik i Danimarkës.

Përveç këtyre informacioneve, u zbulua se policia gjermane kreu kontrolle në një jaht në një port gjerman, që ishte marrë me qira nga njerëz që raportohet se ishin identifikuar me pasaporta ukrainase. Këto japin detaje të reja lidhur me misterin e asaj që shkaktoi shpërthimet nënujore dhe kush mund të jetë përgjegjës. Por, as këto detaje nuk arritën të jepnin një zgjidhje.

Më poshtë mund të mësoni gjërat kryesore për këtë çështje:

Çfarë saktësisht ndodhi me tubacionet e gazit?

Për vite me radhë, gazsjellësit rusë kanë qenë temë debati midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë paralajmëruar kundër varësisë së Evropës ndaj energjisë ruse. Ukraina po ashtu ka qenë e zëshme dhe kritike ndaj këtij projekti; Kievi rrezikoi të humbiste të ardhura të çmueshme nga transporti i gazit nga rusët për evropianët, që kalonte përmes rrjetit të gjerë të tubacioneve të Ukrainës.

Furnizimi me gaz ishte kufizuar që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, gjë që çoi në një largim drastik të pothuajse të gjitha shteteve evropiane nga energjia ruse. Tubacionet nuk ishin funksionale në kohën e shpërthimeve, por në to kishte gaz.

Më 27 shtator, shkencëtarët suedezë thanë se kishin detektuar valë sizmike nga shpërthimet një ditë më herët, dhe epiqendra e tyre ishte në shtratin e detit Baltik, më shumë se 100 metra nën sipërfaqen e ujit.

Ushtria e Danimarkës më pas publikoi një video ku shihej gurgullimi i gazit që dilte mbi sipërfaqen e detit në zonën ku kishin ndodhur shpërthimet.

Autoritetet perëndimore më pas erdhën në përfundim se gazsjellësit ishin dëmtuar pjesërisht nga shpërthimet. Zyrtarët amerikanë i quajtën shpërthimet sabotim dhe autoritetet evropiane më pas thanë se ky ishte një incident i sofistikuar – veçanërisht për faktin se sa thellë ishin vendosur mjetet shpërthyese – duke argumentuar se pas kësaj ngjarjeje fshihej një aktor shtetëror që kishte qasje në pajisje të ndërlikuara të zhytjes dhe të pajisjeve shpërthyese.

Ku ndodhet cisterna greke që u përfshi në këtë ngjarje?

Muajin e kaluar, gazeta finlandeze Verkkouutiset, publikoi një raport që bazohej në të dhënat e gjurmimit të trafikut detar. Sikurse avionët, shumica e anijeve komerciale në mbarë botën kanë të vendosur pajisje që u mundësojnë kompanive amë ose kompanive të sigurimit detarë apo agjencitë e zbatimit të ligjit të gjurmojnë vendndodhjen e tyre.

Të dhënat e mbledhura nga Minerva Julie, një cisternë nafte dhe lëndësh kimike e regjistruar në Greqi, e gjatë prej 183 metrash, tregojnë se ajo u nis nga porti i Detit të Veriut të Roterdamit më 2 shtator. Kjo anije lundroi në Baltik, në veri të ishullit danez Bornholm, dhe tre ditë më vonë ndaloi së lëvizuri drejt lindjes.

Në javët në vijim, të dhënat e gjurmimit të anijeve treguan se kjo cisternë lëvizi para dhe prapa, me ose pa motor të ndezur, në afërsi të vendit ku ndodhën shpërthimet dy javë më vonë.

Sipas transmetuesit danez, TV2, anija lëvizi disa herë brenda 500 metrave nga vendi ku ndodhën shpërthimet dhe kaloi mbi tubacionet mbi 29 herë.

Anija më pas vazhdoi drejt lindjes, duke u ndalur më 14 shtator në kryeqytetin e Estonisë, Talin. Më pas, cisterna lundroi për në Shën Petersburg, Rusi.

Ekspertët detarë kanë thënë se jo domosdo është e pazakonshme që një anije të ndalet në mes të udhëtimit dhe të bëjë lëvizje brenda një lokacioni të vetëm. Për shembull, anijet e bëjnë këtë për të pritur urdhrat e reja për rrugën e udhëtimit nga pronarët e korporatave.

Pronarja e cisternës greke, Minerva Marine, nuk iu përgjigj pyetje të Radios Evropa e Lirë për këtë temë.

Por, më herët kompania ka publikuar një deklaratë, duke konfirmuar se anija lundroi në të njëjtin lokacion, ashtu siç thanë të dhënat e kompanive që gjurmojnë anijet, duke shtuar se cisterna po priste urdhra për vijueshmërinë e udhëtimit.

TV2 po ashtu përmendi raportimet e mëhershme raportimet e gazetarit rus, Aleksandr Nevzorov, që kishte shkruar se një prej bashkëpronarëve të Minerva Marine në të kaluarën ishte takuar me zyrtarët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin. Dhe zyrtarët ukrainas kanë vlerësuar se kompania kishte transportuar qymyr rusë dhe naftë në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian.

Rusia ka mohuar se qëndron prapa shpërthimeve.

Çfarë po bënin autoritetet gjermane me jahtin për pasagjerë?

Në janarin e kaluar, autoritetet federale gjermane kontrolluan një jaht pasagjerësh që gjendej në Rostok të Gjermanisë. Anija më pas u identifikua se ishte Andromeda, një jaht i gjatë 15 metra.

Autoritetet gjermane i thanë REL-it se kontrollet në jaht u kryen më 8 mars bazuar në dyshimin se “anija në fjalë mund të jetë përdorur për të transportuar pajisje shpërthyese” që janë përdorur në shpërthimet në Baltik.

“Vlerësimi i copëzave dhe objekteve që u gjetën po vazhdon”, thanë hetuesit gjermanë. “Deklarata për këtë çështje, veçmas për atë të përfshirjes së shtetit, nuk mund të bëhen për momentin”.

Mediat gjermane, përfshirë Der Spiegel dhe Di Zeit, raportuan se Andromeda ishte marrë me qira nga një grup prej gjashtë personave, disa prej të cilëve paraqitën para autoriteteve pasaporta ukrainase. Kjo anije kishte lundruar nga porti gjerman në Rostok më 6 shtator. Anija i përket një kompanie polake, në pronësi të dy ukrainasve, raportoi Die Zeit.

*Video nga arkivi: Rrjedhja e gazit pas shpërthimeve në Baltik

Hetuesit po ashtu gjetën gjurmë të pajisjeve shpërthyese në tavolinën e kabinës së jahtit.

Die Zeit, që ka bashkëpunuar me transmetuesin gjerman ARD dhe media tjera, nuk specifikoi burimet e këtij raporti, por tha se burimet janë nga disa shtete.

Gazeta Sueddeutsche Zeitung raportoi më 12 mars se disa prej personave që kishin marrë me qira jahtin, ishin identifikuar me pasaporta bullgare.

Andromeda, që është anije e vogël për të pasur pajisje për gjurmimin e lundrimeve të saj, besohet se është nisur nga Rostoku më 6 shtator dhe ka bërë dy ndalesa në ditët në vijim: një në Viek të Gjermanisë dhe ndalesën e dytë në ishullin danez Kristianso, kanë raportuar Die Zeit dhe The Wall Street Journal. Ishulli Kristianso gjendet rreth 30 kilometra në verilindje të Borholmit.

Nuk ka ndonjë indikacion publik për lidhjen midis Minerva Julias dhe Andromedas.

Pra, kush e bëri?

Për këtë çështje ende ka shumë gjëra të panjohura.

Mediat gjermane kanë raportuar se jo shumë kohë pas shpërthimeve, një agjenci e paidentifikuar perëndimore e inteligjencës u ka thënë agjencive evropiane të sigurisë se një grup komandosh ukrainas ishin përgjegjës.

Por, sipas Sueddeutsche Zeitung, inteligjenca, që tha se erdhi nga Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës (CIA), ishte bazuar në “përgjimin e komunikimeve ruse” dhe duhej marrë me rezerva.

The New York Times, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, raportoi më 6 mars se inteligjenca sugjeronte se një “grup pro-ukrainas” ishte përgjegjës dhe se pajisjet shpërthyese ka të ngjarë që ishin vendosur me ndihmën e “zhytësve me përvojë që duket se nuk punonin për ushtrinë apo shërbimet e inteligjencës”.

“Rishikimi i inteligjencës së mbledhur sugjeroi se [keqbërësit e mundshëm] ishin kundërshtarë të presidentit rus, Vladimir Putin, por nuk specifikuan anëtarët e grupit, kush i drejtonte apo kush pagoi për operacionin”, raportoi kjo media amerikane.

Qeveria ukrainase më herët kishte mohuar çdo përfshirje në shpërthime. Raportimet e reja nga Times, kanë shtyrë këshilltarin kryesor të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhaylo Podolyak, që të përsërisë qëndrimin se Ukraina nuk është përfshirë në këtë ngjarje.

The Times of London, ndërkaq në të njëjtin ditë tha se hetuesit gjermanë kanë konfirmuar se gjatë kontrolleve në Andromeda, ia drejtuan gishtin një “figure me ndikim” që kishte financuar operacionin e sabotimit “që përfshinte një jaht, zhytësit elitarë, pasaporta të falsifikuara dhe blerje të eksplozivëve që janë në dispozicion vetëm të industrisë së gazit dhe naftës e që kërkojnë licencë të posaçme dhe kanë një çmim të lartë”.

“Nëse shikoni këto detaje, se si ata shkuan atje me jaht të vogël, në kushtet atmosferike të shtatorit, në atë zonë, e gjithë kjo tingëllon paksa aventureske”, tha Julian Pawlak, hulumtues në Institutin gjerman për Studime të Mbrojtjes dhe Strategjive, me seli në Hamburg.

Pawlak po ashtu përmendi edhe raportet e mëhershme nga zyrtarët evropianë që thoshin se do të duheshin disa qindra kilogramë eksplozivë për të shkaktuar dëmin që kanë pësuar tubacionet.

“Se si kjo është bërë është interesante, shumë interesante”, tha ai për REL-in.

“Me tingëllon se ata kanë qenë një grup profesionistësh, dhe sërish ata nuk duken aq profesionistë. Si mund të kenë lënë prova mbi një tavolinë?”, shtoi ai.

Po Seymour Hersh?

Në fillimin të shkurtit, Seymour Hersh, një gazetar hulumtues amerikan, publikoi një raport në blogun e tij dhe pretendoi se tubacionit e Rrjedhës Veriore ishin bombarduar nga Shtetet e Bashkuara.

Ky artikull, i publikuar më 8 shkurt, mori vëmendje të madhe dhe shpejt u mirëprit nga zyrtarët rusë. Megjithatë, artikulli u kritikua veçmas sepse bazohej në një burim të vetëm anonim.

Hulumtuesit nga Bellingcat dhe media të tjera hetuese po ashtu argumentuan se të dhënat e trafikut detar dhe detaje të tjera, vunë në pah se artikulli i Hersh kishte zbrazëtira shumë të mëdha.

Në një intervistë të publikuar më 13 mars, Nikolai Patrushev, që udhëheq Këshillin e Sigurisë së Putinit dhe njihet për përkrahjen e teorive konspirative lidhur me Perëndimin, sërish mohoi përfshirjen e Rusisë dhe sugjeroi, pa dhënë asnjë dëshmi, se ose SHBA-ja ose Britania qëndronin pas shpërthimeve.

Të tjerët kanë shprehur dyshime se SHBA-ja ishte përgjegjëse duke përmendur deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili disa ditë para pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, tha: “Nëse Rusia pushton, kjo do të thotë se tanket dhe trupat do të kalojnë kufirin e Ukrainës sërish, dhe më pas nuk do të ketë më Rrjedhë Veriore 2. Ne do t’i japim fund asaj”.

Më 8 shkurt, zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson, hodhi poshtë pretendimet e bëra në artikullin e gazetarit Hersh, duke i cilësuar si “krejtësisht false dhe të trilluara”.

Ndërkaq, ish-ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Skorski, publikoi një fotografi të shpërthimit në Twitter, po të njëjtën ditë kur dolën raportimet e para. Ai këtë fotografi e shoqëroi me këtë fjali. “Faleminderit SHBA”. Më pas, ai e fshiu postimin.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG