Një objekt banimi, në ndërtim e sipër, pronë e ish-kryetarit të Komunës së Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, është sulmuar pas mesnatës.
Kështu tha kreu aktual i kësaj komune, Izmir Zeqiri, i cili e dënoi shpërthimin që ndodhi pak pas mesnatës.
Zeqiri i tha Radios Evropa e Lirë se dyshon se sulmi ndaj objektit të Vulloviqit ndodhi pasi ai ishte takuar me të në një kafene në Zubin Potok disa ditë më parë.
“Ka qenë shumë takim shoqëror, takim i rastit. Kemi pirë nga një kafe, kemi biseduar si ish-kryetar që ka qenë. Kemi biseduar natyrisht edhe për interesin qytetar”, tha Zeqiri.
*Postimi i Zeqirit në Facebook lidhur me takimin e tij me Vulloviqin
Zeqiri shtoi se pret që ta takojë sërish Vulloviqin në mundësinë e parë që do ta ketë për ta ngushëlluar lidhur me këtë ngjarje.
“Këto gjëra janë shumë të papranueshme. Unë do të bisedoj edhe me organet e sigurisë. Brenda tre muajve është sulmi i katërt që po ndodh ndaj aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të mi”, shtoi Zeqiri.
Radio Evropa e Lirë deri më tani e ka pasur të pamundur që të kontaktojë me Vulloviqin.
Stevan Vulloviq ishte kryetar i Zubin Potokut nga Lista Serbe nga viti 2013 deri më 2018, kur dha dorëheqje së bashku me kryetarët e tjerë të komunave në veri të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës, që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, vendosi taksën prej 100 për qind ndaj importeve të mallrave nga Serbia.
Atëbotë, ai kishte deklaruar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që kishte dhënë dorëheqje sepse “e kam bartur barrën e të qenët kryetar i institucioneve të Kosovës”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se policia doli në vendin e ngjarjes pas shpërthimit. Ai tha se në objektin banesor, që është në ndërtim e sipër, shpërtheu zjarr, duke shtuar se nga kjo ngjarje nuk ka të lënduar.
Policia e Kosovës tha se ende nuk e di shkakun e këtij shpërthimi.
Të shtunën, më 28 shtator, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ndodhi po ashtu një shpërthim, pasi në Zveçan u hodh një mjet shpërthyes në afërsi të një pike karburanti.
Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë ngjarjesh të tilla. Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës kryesisht të larta në muajt e fundit, për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.