Ndërlidhjet

Një person i vdekur dhe pesë të lënduar nga shpërthimi i bombës në Podgoricë


Vendi ku ka ndodhur shpërthimi, në Podgoricë, Mal i Zi. 3 mars 2023.
Vendi ku ka ndodhur shpërthimi, në Podgoricë, Mal i Zi. 3 mars 2023.

Një person ka humbur jetën dhe pesë janë lënduar nga shpërthimi i një bombe në ndërtesën e Gjykatës Themelore në Podgoricë, konfirmon policia.

Mladen Bullatoviq (39 vjeç), i cili vdiq pasi aktivizoi një granatë dore në hyrje të Gjykatës Themelore në Podgoricë, nuk kishte një gjykim të caktuar para asaj gjykate dhe as nuk ishte ftuar të vinte në atë institucion gjyqësor, njoftoi Gjykata Themelore në Podgoricë.

Gjykata, po ashtu, ka deklaruar se në qershor të vitit të kaluar, Bullatoviq ishte dënuar me punë në komunitet për veprën penale mospagesë të alimentacionit.

Sërgjan Koraq nga Policia Kriminale u tha gazetarëve se 39-vjeçari nga Podgorica vdiq pasi aktivizoi mjetin shpërthyes.

“Ka shumë të ngjarë që ai të ketë aktivizuar mjetin shpërthyes me fuqi të madhe shkatërruese kur ka hyrë në ndërtesën e Gjykatës Themelore”, tha Koraq.

Policia më vonë deklaroi se ka shumë të ngjarë që mjeti shpërthyes të ishte një granatë dore.

Koraq ka konfirmuar se kanë mbetur të lënduar pesë persona dhe se ata janë dërguar në Qendrën Klinike. Drejtoresha e Qendrës Klinike të Malit të Zi, Lilana Raduloviq, ka bërë të ditur se pesë të lënduarit janë në gjendje stabile shëndetësore.

"Procedurat diagnostike janë duke u zhvilluar për të konstatuar lëndimet. Më e rëndësishmja është që të gjitha të kenë parametra vitalë stabil", tha Raduloviq.

Ajo bëri të ditur se gjithsej shtatë persona kërkuan ndihmë mjekësore pas shpërthimit në gjykatë.

Policia ka konfirmuar se shpërthimi ka ndodhur në orën 11:35 dhe se hetimet janë duke vazhduar.

Të lënduar janë avokati Branimir Vukçeviq, dy punonjës të gjykatës dhe tre qytetarë, ka bërë të ditur kryetari i Odës së Avokatëve, Zdravko Begoviq.

Kryetarja e Gjykatës Themelore, Zhelka Jovoviq, tha se për nivelin e sigurisë së gjykatës kanë bërë paralajmërime me vite të tëra.

"Ne kemi folur për këtë për tre vjet. Ne po theksojmë se siguria është ashtu siç është. Fatmirësisht kështu përfundoi, mund të ishte shumë më keq", tha ajo.

Partia Demokratike e Socialistëve, e kryesuar nga Milo Gjukanoviq, u bëri thirrje autoriteteve që të informojnë sa më shpejt opinionin për detajet e ngjarjes tragjike.

Nga kjo parti njoftuan se “do të kërkojnë përgjegjësi personale të atyre që kanë mundur ta parandalonin tragjedinë, por nuk e bënë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG