Ndërlidhjet

OJQ-të serbe mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta serbe


Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së.
Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së.

Pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile të komunitetit serb në Kosovës kanë kundërshtuar thirrjet nga shoqëria civile në Kosovë, që Komisioni Evropian të tërheqë një propozim i cili kërkon që shtetasve të Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, t’iu hiqen vizat.

Më herët gjatë 21 nëntor, edhe Qeveria e Kosovës, por edhe mbi 20 organizata joqeveritare në Kosovë, kërkuar që Komisioni Evropian të rishqyrtojë këtë propozim, teksa Kosova pret që liberalizimi i vizave të nisë së zbatuari më 1 janar të vitit 2023.

Përmes një letre dërguar komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë tha se ky propozim i KE-së do të “sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës” përmes pajisjes me dokumente të Kosovës dhe “do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit”.

Por, organizatat joqeveritare serbe thanë se argumentet se heqja e regjimit të vizave për qytetarët serbë të Kosovës, që kanë pasaporta të Serbisë pengon integrimin e tyre në Kosovë, “nuk qëndrojnë dhe janë fyese”.

“Nuk do të integrohen më shumë serb të Kosovës nëse pajisen me pasaporta të Kosovës sesa numri i atyre që tashmë kanë nënshtetësi të Kosovës. Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe vërtetim të shtetësisë. Me fjalë të tjera, një person që merr një pasaportë të re tashmë ka shtetësinë dhe kështu është tashmë i integruar”, u tha në reagimin e 15 organizatave joqeveritare serbe.

OJQ-të serbe thanë se organizatat joqeveritare shqiptare – që u janë drejtuar BE-së për këtë çështje – janë pikërisht ato që kanë ngritur zërin për vite kundër izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës “dhe tani në thelb po kërkojnë të njëjtën gjë: izolimin e një numri shumë të vogël të njerëzve”.

Çfarë ka propozuar Komisioni Evropian?

Në mesin e nëntorit, duke pasur parasysh liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, Komisioni Evropian propozoi që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Për t’u përfshirë edhe bartësit e pasaportave që i lëshon një zyre e veçantë në Beograd (zyra koordinuese) Komisioni ka propozuar ndryshimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë.

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë. Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në atë kohë ishte vlerësuar se ekziston rreziku nga migrimi masiv, si dhe disa çështje të sigurisë.

Në propozimin e tij, Komisioni Evropian ka argumentuar se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.

Çfarë ka thënë Qeveria e Kosovës?

Më 21 nëntor, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se i është drejtuar BE-së, duke kërkuar që të rishqyrtojë propozimin sa i përket çështjes së heqjes së vizave për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta serbe.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”, tha Bislimi.

Ai tha se Qeveria e Kosovës tashmë po aplikon një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve në Kosovë me pasaporta. Sipas Bislimit, kohëve të fundit është rritur interesimi i qytetarëve për pajisje me pasaporta dhe “në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29 për qind”.

Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.

Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, nëse propozimi i KE-së nuk jetësohet, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG