Ndërlidhjet

Shkupi nuk pret ndryshim në politikën e jashtme të Sofjes


Zgjedhjet në Bullgari, 02 tetor 2022.
Zgjedhjet në Bullgari, 02 tetor 2022.

Maqedonia e Veriut nuk pret ndryshim të politikës bullgare ndaj saj edhe pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 2 tetor, thonë nga Qeveria maqedonase duke komentuar rezultatin që sërish ka lënë paqartësi nëse do të arrihet të formohet një qeveri stabile në Sofje.

“Në raport me vendin tonë, nuk presim ndonjë ndryshim. Shpresojmë në vazhdimin e bashkëpunimit për të gjitha çështjet me qëllim forcimin e marrëdhënieve për të gjitha çështjet e hapura që dalin nga marrëveshja për fqinjësi të mirë mes dy shteteve”, thonë nga Qeveria maqedonase për Radion Evropa e Lirë.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bullgari, asnjëra nga partitë politike nuk e ka fituar shumicën e votave për të formuar qeverinë e re.

Në Parlamentin e Bullgarisë kanë arritur të hyjnë shtatë parti politike. Numrin më të madh të votave apo 25.34 për qind, e ka fituar partia Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), e ish-kryeministrit Bojko Borisov.

Forca e dytë politike është radhitur ajo e kryeministrit në detyrë Kiril Petkov, Vazhdojmë me ndryshimet, me 20.2 për qind, ndërsa e treta partia liberale, Lëvizja për të drejtat dhe liritë, ka fituar 13.75 për qind të votave.

Partia e katërt, sipas votave të përpunuara, është Rilindja me 10.17 për qind, e ndjekur nga Partia Socialiste Bullgare me 9.3 për qind.

Duke komentuar rezultatet paraprake, Risto Nikovski, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhjet në Bullgari vështirë se do të çojnë në një stabilitet politik në këtë shtet, ndërsa në raport me Maqedoninë e Veriut, ai nuk pret ndonjë politikë të re, pasi, sipas tij, “pala bullgare tani ka arritur të gjitha synimet e saj në rrënimin e identitetit maqedonas”.

“Kësaj radhe në fushatën për zgjedhjet në Bullgari, partitë politike atje nuk u morën me Maqedoninë [e Veriut]. Kjo ishte e logjikshme, pasi ata i kanë zgjidhur problemet e tyre me vendin tonë. Ata në një mënyrë të paparë arritën që të gjitha aspiratat e tyre jolegjitime, jocivilizuese antihistorike që t’i përfshijnë në kornizën negociuese me BE-në. Një çështje tjetër është fakti se atje nuk do të ketë stabilitet politik pasi vështirë se do të mund të formohet një qeveri e re, por edhe sikur të formohet asgjë nuk do të ndryshojë në raport me vendin tonë. Atje ka një unitet të paparë në raport me Maqedoninë [e Veriut], se maqedonasit nuk ekzistojnë, se gjuha maqedonase nuk ekziston, se kemi një histori të përbashkët, apo se ne jemi bullgarë”, thotë Nikovski.

Maqedonia e Veriut beson të ketë zgjidhur mosmarrëveshjet me Bullgarinë përmes një dokumenti që njihet si “Propozimi francez”, për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase. Pas kësaj Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, por Bullgaria mund të bllokojë sërish bisedimet nëse nuk realizohen kërkesat e saj, që përfshijnë edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të kaluarën historike.

Risto Nikovski, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, thotë se kërkesat e Sofjes nuk do të ndalen me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, apo me çështjet historike. Ai konsideron se pala maqedonase duhet të insistojë në një marrëveshje të re me Bullgarinë.

“Nëse Maqedonia [e Veriut] vazhdon me këtë qasje në raportet me Bullgarinë, asnjëherë nuk do të mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian pasi këtë Sofja nuk do ta lejojë meqë nuk do të heqë dorë nga pretendimet se ne jemi bullgarë. Zgjidhja e vetme është të heqim dorë nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe të kërkojmë një marrëveshje të re. Kjo është mënyra e vetme pasi ndërkohë BE-ja nuk do të zgjerohet, kështu do të kemi 20 vjet apo ndoshta edhe më shumë kohë që raportet mes dy vendeve t’i zgjidhim në mënyrë të civilizuar”, thotë Nikovski.

Kundër marrëveshjes me Bullgarinë është deklaruar edhe opozita maqedonase, e cila kishte iniciuar edhe një referendum. Pas refuzimit të nismës për referendum nga Kuvendi, VMRO DPMNE-ja ka paralajmëruar bllokimin e ndryshimeve kushtetuese në organin legjislativ, që pritet të miratohen më së voni deri në nëntor të vitit të ardhshëm, në të kundërtën do të bllokohen bisedimet e anëtarësimit me BE-në.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG