Ndërlidhjet

SHBA-ja thekson rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese për Shkupin


Fotografi ilustruese me flamujt e dy shteteve.
Fotografi ilustruese me flamujt e dy shteteve.

Ndryshimet kushtetuese ndoshta duken të vogla, por politikisht janë shumë të vështira, andaj për Maqedoninë e Veriut është e rëndësishme të dëgjojë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pas këtij procesi. Kështu deklaroi më 18 maj Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit në seancën dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për punë të jashtme të Senatit.

“Ajo që duhet ta dëgjojnë nga të gjithë ne, është mbështetja jonë që t’i bëjnë këto ndryshime, që do të dukeshin të vogla, por politikisht janë mjaft të vështira, e kjo do të ndihmojë që të zhbllokohet faza e ardhshme e procesit të tyre për aderim në Bashkimin Evropian”, tha Chollet kur u pyet se cilat do të jenë përfitimet që do t’i ketë Maqedonia e Veriut me hyrjen në Bashkimin Evropian.

Kurse, Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, tha se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në preambulë ndonëse paraqesin hap të vështirë, janë të domosdoshme.

Ai theksoi se opozitës nuk i kërkohet të mbështesë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, por rrugën euroatlantike të vendit.

“Kjo është marrëveshja më e mirë që kemi marrë. Është e arsyeshme, mendoj tani për tani, dhe ne duhet të ecim përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, shpresoj që të gjitha palët e spektrit politik t’i mbështesin ndryshimet e nevojshme në mënyrë që të mund të ecim përpara në avancimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Escobar.

Ai nuk e fshehu shqetësimin e tij në rast të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese, duke nënvizuar se kjo do të ishte një porosi për BE-në se Shkupi ka dilema për sa i përket së ardhmes si pjesë e BE-së.

Opozita thotë se nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese nën diktatin e Bullgarisë

Me gjithë thirrjet nga zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe BE-së, partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, mbetet në qëndrimin se nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, siç u shprehën, nën diktatin e Bullgarisë.

“VMRO-DPMNE nuk planifikon të lëvizë asnjë milimetër sa i përket çështjes së ndryshimeve kushtetuese. Kërkesat janë aspektet për të mbrojtur identitetin tonë, e jo në këto kushte dhe këtë diktat bullgar”, tha nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Timço Mutsunski.

Megjithëkëtë, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski shpreson se opozita do t’i bashkohet bllokut pro-evropian.

Duke folur në kuadër të Komitetit qendror të partisë së tij më 18 maj, Kovaçevski tha se edhe nëse VMRO-ja nuk i bashkohet bllokut pro-evropian si tërësi, ai beson se ka individë nga kryesia e saj dhe deputetë, që dëshirojnë që vendi të vazhdojë rrugëtimin drejt BE-së.

Në Maqedoninë e Veriut është formuar grupi i ekspertëve për ndryshimet kushtetuese për hartimin e amendamenteve që kanë të bëjnë me preambulën për përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues.

Përfshirja e bullgarëve në preambulë është pjesë e marrëveshjes që është arritur me Bullgarinë në qershor të vitit 2022, për zgjidhjen e kontesteve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike ndërmjet dy vendeve.

Por, në këtë grup punues VMRO DPMNE-ja vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se mospjesëmarrja përfaqësuesve të VMRO DPMNE-së në grupin punues për ndryshimet kushtetuese nuk e dëmton procesin.

Njohësit e çështjeve politike thonë se qëndrimi kundër ndryshimeve kushtetuese do t’i sjellë pikë negative kësaj partie kundrejt faktorit ndërkombëtar deri në izolimin e tërësishëm.

“VMRO DPMNE mund t’i prishë raportet me faktorin ndërkombëtar nga mungesa e kurajës për të bërë një lëvizje që është e dobishme për shoqërinë edhe për shtetin, pavarësisht se çfarë ndikimi do të këtë ky vendim tek elektorati i kësaj partie. Pra, pasojat do të jenë të këqija jo vetëm në relacion me faktorin ndërkombëtar, por edhe në relacion të bashkëpunimit me subjektet politike shqiptare këtu, pasi qëndrimi i shqiptarëve lidhur me këtë çështje është me qëndrimin e partnerëve tanë euroatlantikë, veçanërisht me ata të SHBA-së”, thotë për REL-in Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG