Gjermania mbështet fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë, duhet t’i përmbushë të gjitha detyrimet, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës, ka deklaruar të enjten në Shkup, ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ajo tha se kompromiset janë të rënda, por janë mënyra më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë, duke theksuar se “e keni fjalën se Bashkimi Evropian nuk do t’ju lërë në baltë”.
Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimin e Kushtetutës së saj për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, bazuar në marrëveshjen me Bullgarinë që ishte arritur me ndërmjetësimin e Francës, në qershor në vitit 2022.
- Ndërkombëtarët i bëjnë thirrje Shkupit ta ndryshojë Kushtetutën
- Politika maqedonase mbetet e përçarë në procesin integrues
- Shkupi nis debatin për ndryshimet kushtetuese, opozita me kushtëzime
Shefja e diplomacisë gjermane tha se ndryshimi i Kushtetutës i hap rrugë vazhdimit të bisedimeve me BE-në për anëtarësim të plotë në union.
“Kushtetuta është diçka që nuk ndryshon shpesh, prandaj e kuptoj debatin që ekziston në shoqërinë tuaj, veçanërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe gjuhën tuaj. Me vendimin për hapjen e Kushtetutës, mund të fillojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në gjashtë muajt në vijim do të dëshmojmë se qëndrojmë pas fjalëve tona. E keni fjalën time, BE-ja nuk do t'ju lërë në baltë. Maqedonia e Veriut i takon BE-së, andaj së bashku do ta bëjmë këtë rrugë”, deklaroi Baerbock.
Ajo tha se të gjitha palët duhet të jenë pjesë e këtij procesi përfshirë edhe opozitën maqedonase, e cila kundërshton ndryshimet me arsyetimin se Sofja mund të paraqesë kushtëzime tjera, sipas VMRO DPMNE-së, partisë më të madhe të opozitës.
“Në momentet e ndryshimit të Kushtetutës, libreza partiake nuk duhet të jetë në radhë të parë. Roli i opozitës është i rëndësishëm, por në demokraci duhet të luftosh shumë për çdo votë. Dhe, çdo votë do të thotë të kesh 2/3 e shumicës”, tha Baerbock.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se Qeveria është e përkushtuar në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimit evropian të vendit, por theksoi edhe rëndësinë e rritjes së kredibilitetit të BE-së
“Në procesin e integrimit evropian ishim shumë para Kroacisë ndërsa ajo tani dhjetë vjet është pjesë e unionit... Ne duhej të bënim ndryshimin e emrit dhe tani duhet të bëjmë ndryshimin e Kushtetutës dhe padyshim se kjo te njerëzit shkakton frustrime dhe dilema sa i përket kredibilitetit. Pra, së pari nevojitet kthimi i kredibilitetit të BE-së se procesi është serioz...".
"Qytetarët e dinë se përveç BE-së nuk kanë alternativë tjetër. Nëse shohim hartën e Evropës do të shohim se rajoni është në zemër të Evropës, i rrethuar me shtetet anëtare të BE-së, prandaj s’ka asnjë alternativë tjetër përveç BE-së, as politike, as gjeografike, as ekonomike e as historike. Tani është koha për forcimin e kredibilitetit dhe vazhdimin e procesit integrues”, tha Osmani.
Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut folën edhe për zhvillimet ndërkombëtare, në veçanti për konfliktin në Ukrainë dhe urdhërarrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për presidentin rus, Vladimir Putinin, nën dyshimet për dëbim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas.
“Gjykata Ndërkombëtare Penale është themeluar që të gjitha krimet e bëra të mos mbeten pa u ndëshkuar. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se askush në botë nuk mund të jetë mbi Kartën e OKB-së e as mbi të drejtën qytetare humanitare. Askush nuk mund të kalojë pa u dënuar nëse ka bërë krime kundër njerëzimit. Kjo mund të zgjasë me vjet e dekada, por gjithkush do të marrë dënimin. Gjermania mbështet Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë dhe të gjitha vendimet që dalin prej saj”, deklaroi ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Ndërkohë, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale e mbështeti edhe ministri Osmani, edhe në cilësinë e vendit kryesues me OSBE-në.
“Kemi mbështetur të gjitha rezolutat dhe vendimet që kërkojnë përgjegjësi për të gjitha ata që kanë bërë krime. Ata që kanë marrë pjesë në krimet kundër popullatës civile duhet të marrin dënimin. Ne kemi dënuar dhe vazhdojnë të dënojmë agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë. Në cilësinë edhe të kryesuesit të OSBE-së, mbështesim të gjitha vendimet për dënimin e krimeve të bëra”, theksoi Osmani.
Sipas Kievit, më shumë se 16.000 fëmijë ukrainas janë dëbuar nga shtëpitë e tyre që prej nisjes së luftës më 24 shkurt 2022.