Ndërlidhjet

Përshpejtimi i integrimit evropian në fokus të Samitit të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore


Ministra dhe liderë të shteteve rajonale në samitin e SEECP-it në Shkup, Maqedoni e Veriut, 13 qershor 2024.
Ministra dhe liderë të shteteve rajonale në samitin e SEECP-it në Shkup, Maqedoni e Veriut, 13 qershor 2024.

Mesazhet për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), ruajtja e paqes dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal dhe afrimi me tregun e përbashkët evropian, ishin në fokus të samitit të krerëve të shteteve dhe të qeverive të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP).

Samiti u mbajt të enjten në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku pjesëmarrësit vlerësuan punën e deritanishme të këtij forumi, para se gjithash në "mbylljen e çështjeve të hapura, ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe atë të bashkëpunimit për arritjen e qëllimit të përbashkët- flamurin e Bashkimit Evropian".

Në këtë samit rajonal, morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ai i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.

Presidenti malazez mori pjesë në cilësinë e ish-shtetit kryesues me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore ndërsa presidenti shqiptar në cilësinë e kryesuesit e ardhshëm me këtë forum rajonal.

"Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të kontribuar në ruajtjen e paqes në Evropë, ndërtimin e një kontinenti demokratik, të sigurt dhe të begatë", tha presidentja maqedonase, Gordana Siljanovska Davkova.

Përshpejtimi i integrimit evropian dhe avancimi i bashkëpunimit rajonal janë me rëndësi në bashkëpunimin e mëtejmë me shteteve, theksoi presidenti malazez, Jakov Milatoviq.

“Është e rëndësishme që ne të qëndrojmë me vendosmëri në rrugën e zhvillimit demokratik dhe sundimit të ligjit, sepse vetëm kështu shoqëritë tona mund të avancojnë në mundësinë e ofruar nga entuziazmi i zgjuar dhe momenti i ri që kemi në Bruksel për zgjerimin e unionit”, tha Milatoviq.

Presidenti shqiptar, Bajram Begaj tha se Shqipëria si kryetare e ardhshme do të mbetet proaktive në mbështetjen e bashkëpunimit rajonal.

“Shqipëria do të fokusohet në një sërë prioritetesh për anëtarësimin në BE, stabilitetin ekonomik, agjendën e gjelbër dhe digjitale, turizmin, kulturën”, tha Begaj.

Ndër zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu si dhe kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq.

Shtetet tjera u përfaqësuan në nivele të përfaqësuesve të ministrive të jashtme dhe të ambasadorëve.

Në mesin e tyre ishte edhe shefi i diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis, që shënon edhe takimin e parë të një zyrtari të lartë grek me presidenten e re maqedonase, Gordana Siljanovska Davkova, e cila refuzon të përdor emrin e shtetit Maqedonia e Veriut, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta në Athinë.

Në Samit morën pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian; zëvendësdrejtori në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme të BE-së, Marko Makovec dhe përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Ana Veziroglu.

Paraprakisht, është mbajtur takimi i përfaqësuesve të Ministrive të Punëve të jashtme në të cilin është biseduar për “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore” dhe “aspiratat për integrimin në strukturat euroatlantike”.

Bujar Osmani në cilësinë e kryesuesit të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP) dhe ministër i aktual i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut është takuar me zëvendësministren e jashtme të Greqisë, Aleksandra Papadopulo më të cilën kanë biseduar kryesisht për integrimin evropian dhe detyrimin për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

“Kemi biseduar për përkushtimin e dy shteteve jo vetëm për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, por edhe për mbështetjen që Athina i jep vendit tonë në procesin e integrimit evropian. Marrëveshja e Prespës është më shumë se sa një marrëveshje për çështjen e emrit. Ajo është shtylla e integrimit evropian dhe e forcimin të fqinjësisë mes dy vendeve”, ka thënë Osmani.

Një ditë para takimit ministror dhe Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive, në Shkup u mbajt takimi vjetor i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), i cili është organ ekzekutiv i Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP) .

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani e cilësoi përfundimin e presidencës njëvjeçare të këtij procesi si fitore të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut sepse të mërkurën në Shkup u arrit marrëveshje për sekretarin e ardhshëm të përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

Funksionin do ta ushtrojë Amer Kapetanoviq nga Bosnja dhe Hercegovina.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një iniciativë për bashkëpunim rajonal, që është lansuar më 1996.

Ajo synon të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis shteteve të Evropës Juglindore dhe ta transformojë këtë rajon në një fushë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, me synimin kryesor të integrimit të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Vendet anëtare të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania, Bosnje e Hercegovina, dhe Serbia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG